Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë Jorn Rohde ka thënë se integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE është kundërpërgjigjja më e mirë ndaj përpjekjeve të Rusisë për destabilizimin e rajonit.
“Përgjigjja më e mirë për t'iu kundërvënë përpjekjeve të hapura të Rusisë për destabilizimin në rajon, është integrimi i të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në strukturat evropiane”, ka shkruar ai në Twitter.
Deklarimet e diplomatit gjerman pasojnë ato të zyrtares së lartë amerikane Karen Donfried, e cila dje gjatë vizitës në Kosovë, tha se Rusia dëshiron të prishë çdo unitet dhe konsolidim demokratik në vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Status quo-ja është e paqëndrueshme; jo vetëm që pengon të ardhmen evropiane të Kosovës dhe Serbisë, por është në dobi të Kremlinit”, u shpreh ndihmësja e sekretarit të Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroazisë.