Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, gjatë seancës së sotme parlamentare është deklaruar rreth çështjes së Komisionit Hetimor, për të cilin komision janë dhënë dy propozime, e para ai që të hetohet shpenzimi i energjisë gjatë krizës së fundit dhe ideja e dytë që ka ardhur nga VV-ja që të hetohet çështja e energjisë që nga pavarësia.
Haliti, ka thënë se ai do ta votonte mocionin e Vetëvendosjes për komision hetimor, por së pari duhet që VV-ja ta votojë kërkesën e opozitës.
“Vetëvendosja është pengesë më krijuar komisionin, dhe duhet të jetë e para që thotë: “Ne jemi dakord me miratuar komision siç e kanë kërkuar 40 deputetë, miratone edhe këtë tonin”. Unë e kisha votuar mocionin e Vetëvendosjes”, ka thënë Haliti.
Tutje, ai ka shtuar ai nuk e ka ditur që deputetët e VV-së, i kanë ditë të gjitha gjërat, duke shtuar përsëri që së pari duhet të votohet komisioni i opozitës pastaj ai i qeverisë.
“Unë nuk e kam ditë që i dini të gjitha. Dhe po më vjen keq që nuk kanë shkuar në prokurori, këta që i din gjithë këto keqpërdorime. Praktikat janë që, ai që e kërkon ai me udhëheq komisionin, pastaj numri i atyre ata që janë në komision janë si të barabartë, kështu e bëjnë parlamentet në të gjithë botën. Ta formojmë këtë komision që e kanë kërkuar deputetët me 40 nënshkrime pastaj ta qesim në votim edhe komisionin tjetër le të formohet”, ka shtuar Haliti.
Në fund, Haliti tha se, pas hetimit të komisionit, sipas tij, nëse nuk ka fajtor duhet të kërkohet falje, por nëse dalin fajtor e keqpërdorime duhet ata persona me shkua në burg.
“40 deputet po dyshojnë që ka pas keqpërdorime. Ajo kryhet për një javë, s’ka nevojë për gjashtë muaj. Shënimet janë. Nëse s’ka keq përdorime, unë besoj që duhet me kërkuar falje, nëse ka pas keq keqpërdorime duhet me fol me gjuhën tjetër. Hajn është ai që e nxajn.. Nëse e nxajnë dikë tu vjedh duhet me shkuar në burg, nëse dikush e ka keq përdor buxhetin e shtetit duhet me shkuar në burg. Kush është për burg shkon në burg, kush është për jashtë rrinë jashtë. Nuk po më pëlqen që folët vetëm me gjuhën e burgut e të urrejtjes”, përfundoi Haliti.