Partitë opozitare po vazhdojnë t’i bojkotojnë punët e Kuvendit të Republikës së Kosovës për shkak të bllokimit për themelimin e Komisionit Hetimor për Energjinë, të inicuar nga Partia Demokratike e Kosovës .
Njëjtë ndodhi edhe në mbledhjen e sotme të Kryesisë së Kuvendit, ku nuk morën pjesë përfaqësuesit e opozitës.
Në mbledhjen e sotme në rend dite janë pikat e papërfunduara nga disa seanca plenare si dhe përgatitjet për seancë plenare të re të radhës.
Në këtë mbledhje është shqyrtuar edhe kërkesa e nënshkruar nga 41 deputetë të Vetëvendosjes për formimin e komisionit hetimor për vendimmarrje në sektorin e energjisë. Me kërkesë të shefes së këtij grupi të VV-së, është shtyrë për një seancë tjetër, derisa të arrihet një dakordim me partitë opozitare.
Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë pas mbledhjes se është vendosur që seanca e re të mbahet më 5 maj, në ora 10:00.