Abdixhiku: LDK-ja synon t’i japë Kosovës program politik të djathtë, rugovist

Aktuale

Abdixhiku: LDK-ja synon t’i japë Kosovës program politik të djathtë, rugovist

Më: 29 prill 2022 Në ora: 22:29
Lumir Abdixhiku

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka thënë se partia e tij synon t’i japë vendit dhe qytetarëve program politik të djathtë, rugovist e që synon ankorimin drejt së ardhmes euroatlantike.

Abdixhiku pas Konventës së LDK-së, thotë se kanë diskutuar për të ardhmën e LDK-së dhe të Kosovës pa dallim.

Ai thotë se angazhimi i LDK-së në terren e në takime me qytetarët si Kosovë e Mërgatë do të jetë pjesë përbërse e hartimit të programit politik.

Postimi i plotë:

LIDHJA PËR TË ARDHMEN

Sot, në një organizim të jashtëzakonshëm, gjithëpërfshirës e mobilizues partiak, nisëm punimet e Konventës Programore të Lidhjes Demokratike të Kosovës; si pikënisje e debatit tonë të brendshëm strukturor dhe së këndejmi edhe atij me qytetarë. Diskutuam mbi orientimet ideologjike e programore të shtëpisë sonë politike, për të ardhmen e së djathtës në Kosovë, politikën e jashtme, mërgatën e bashkëpunimin rajonal; për shtetin, sigurinë, zhvillimin, arsimin, shëndetësinë, për mirëqenien, familjen, avancimin shoqëror dhe qeverisjen lokale në Kosovë. Diskutuam për të ardhmen tonë partiake e të Kosovës pa dallim.

Mblodhëm të gjitha strukturat tona udhëheqëse, anëtarët e Kuvendit, Këshillit të Përgjithshëm, Kryesisë, deputetët, kryetarët e Komunave, kryetarët e Degëve e asambleistët lokal. U nderuam me mbështetje të përfaqësuesve më të lartë të familjes sonë evropiane - Partisë Popullore Evropiane (EPP), përkatësisht nënkryetarit, David McAllister dhe Sekretarit për Marrëdhënie me Jashtë, Patrick Voller; ambasadorit gjerman Jorn Rohde, përfaqësuesve të KAS dhe NDI; organizata mbështetëse të LDK-së.

Në panelin e parë, “E ardhmja e djathtës së Kosovës”, folën Akademik Kujtim Shala, Mr. Arben Gashi, Dr. Muhamet Hamiti dhe Dr. Visar Berisha. Diskutimi u moderua nga Dr. Jehona Lushaku Sadriu.

Në panelin e dytë, “Politika e Jashtme, Mërgata dhe Bashkëpunimi Rajonal”, folën Lutfi Haziri, Dr. Shqipe Mjekiqi, Mr. Teuta Sahatqija dhe Dr. Valon Murtezaj. Ky panel u moderua nga Lirije Kajtazi.

Në panelin e tretë, “Zhvillimi, Arsimi dhe Shëndetësia”, me panelistët Dr. Alban Zogaj, Mr. Besian Mustafa, Dr. Jehona Lushaku dhe Dr. Izet Sadiku. Diskutimi u moderua nga Besa Gaxherri.

Paneli i katërt diskutoi për “Shtetin dhe Sigurinë”, me folës Gazmend Muhaxheri, Anton Quni, Driton Selmanaj dhe Armend Zemaj. Diskutimi u moderua nga Shkëmb Manaj.

Në panelin e pestë “Mirëqenia dhe Avancimi shoqëror”, folën Mr. Sibel Halimi, Mr. Roland Peraj, Dr. Shqipe Brestovci dhe Dr. Rifat Haxhijaj. Diskutimi u moderua nga Vlora Dumoshi.

Në panelin e gjashtë “Qeverisja Lokale” folën Imri Ahmeti, Xhafer Gashi, Ilir Ferati dhe Ruzhdi Shehu. Diskutimi u moderua nga Dr. Xhafer Tahiri.

Nga sot, angazhimi i LDK në terren, në takime me qytetarë - në Kosovë e Mërgatë - do të jetë pjesë përbërëse e hartimit të Programit Politik. Të 28 ekipet tona tematike programore, ndërsa, do të mbledhin rreth vetes profesionistët më të shquar të vendit, për t’i dhënë Kosovës e qytetarëve tanë një program politik të djathtë, rugovist e që synon ankorimin e vendit tonë drejt së ardhmes euroatlantike.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat