​Blerta Deliu: Kryeministër, faleminderit për nderimet për Ilaz Kodrën, por ju e larguat politikisht nga puna bashkëshorten e tij

Aktuale

​Blerta Deliu: Kryeministër, faleminderit për nderimet për Ilaz Kodrën, por ju e larguat politikisht nga puna bashkëshorten e tij

Më: 30 prill 2022 Në ora: 19:36
Foto nga vendi i ngjarjes

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu Kodra, njëherësh pjesë e familjes së heroit të kombit Ilaz Kodra, ka reaguar sot pas vizitës së kryeministrit Albin Kurti te shtatorja e Ilaz Kodrës, duke thënë se muaj më parë menaxhmenti i ri i Postës së Kosovës, i zgjedhur nga Qeveria Kurti largoi nga puna bashkëshorten e heroit Ilaz Kodra.

Deklarata e plotë e deputetes Blerta Deliu-Kodra:

Si familjarë të komandantit Ilaz Kodra, 30 prilli për ne është ditë përkujtimi dhe krenarie. I tillë ishte edhe sot. Në emër të familjes, i falënderoj të gjithë të afërmit dhe miqtë që na qëndruan pranë dhe ndan me ne dhimbjen dhe kujtimet për të.

Për nderimet e sotme, po ashtu, e falënderoj edhe kryeministrin Kurti. Megjithatë, e ndjej për obligim ta them edhe publikisht, që menaxhmenti i ri i Postës së Kosovës, i zgjedhur aty nga Qeveria Kurti, si vazhdimësi e largimeve politike nga puna në këtë institucion, para dy muajsh e ka larguar nga puna edhe bashkëshorten e Ilazit, Kimeten. Ajo tani është duke i kërkuar të drejtat e saj në rrugën ligjore.

Por, mbi të, përveç dhimbjes që ndjen vazhdimisht për humbjen e njeriut më të dashur, sot rëndojnë edhe padrejtësitë e pushtetit të kryeministrit Kurti.

E ndjeva për obligim ta them këtë, pasi që unë jam e vetmja anëtare e familjes së komandantit Ilaz Kodra, që jam pjesë aktive e politikës.

Familja Kodra nga Prekazi gjithmonë ka qenë e përndjekur, gjithmonë e persekutuar, gjithmonë e diskriminuar, por asnjëherë nuk është dorëzuar!

Kimetja, sot është qytetare e këtij vendi dhe një nënë që i ka rritur vajzat e saj dhe të Ilazit me punë dhe përkushtim të pandalshëm.

Nderime përjetë komandantit Ilaz Kodra dhe të gjithë të rënëve për lirinë tonë!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat