Kryeministri Albin Kurti ka kërkuar sot nga kancelari gjerman, Olaf Scholz në Berlin, që Gjermania të shtyjë përpara procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.
Në një konferencë të përbashkët për media, kreu i Qeverisë së Kosovës tha se dialogu Kosovë-Serbi duhet të jetë i përqendruar në njohje reciproke ndërmjet dy vendeve.
“Edhe dy muaj bëhen katër vite prej se Komisioni Evropian e ka rekomanduar liberalizimin e vizave për Kosovën për herë të dytë. Është koha të thuhet se mjaft është mjaft. Kjo çështje duhet të vendoset në Këshillin e BE-së pasi Kosova i ka kryer detyrat e shtëpisë, dhe është radha që edhe BE të kryej detyrat e saj”, tha ai.
Kurti tha se Kosova do të aplikojë për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe partneritet me NATO-n ku llogaritet në ndihmën e Gjermanisë. Ai ka thënë se mbështesin Procesin e Berlinit, derisa Kosova refuzon iniciativa tjera paralele.
Kurti ka thënë se Kosova është proaktive në dialogun me Serbinë.
“Dialogu duhet të jetë i bazuar në njohje reciproke. Njohje reciproke duhet të jetë në qendër e jo në fund të procesit”, derklaroi tutje Kurti.