Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka thënë se do të angazhohet me këmbëngulje që liberalizimi i vizave për kosovarët të ndodh sa më shpejtë. Këtë deklaratë ai e ka bërë në një konferencë të përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, pas takimit që kanë zhvilluar në Berlin.
“Përparim i mëtejshëm duhet të bëhet në liberalizmin e vizave për Kosovën. Për këtë angazhohem në Bashkimin Evropian me këmbëngulje”, ka thënë kancelari gjerman.
Ndërsa, kryeministri Kurti ka kërkuar nga kancelari Scholz që Gjermania të shtyjë përpara procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.
“Edhe dy muaj bëhen katër vite prej se Komisioni Evropian e ka rekomanduar liberalizimin e vizave për Kosovën për herë të dytë. Është koha të thuhet se mjaft është mjaft. Kjo çështje duhet të vendoset në Këshillin e BE-së pasi Kosova i ka kryer detyrat e shtëpisë, dhe është radha që edhe BE të kryej detyrat e saj”, tha ai.