Kancelari gjerman Olaf Scholz zhvilloi sot në Berlin takime me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Mediat gjermane i kanë dhënë hapësirë këtyre takimeve, duke vendosur theksin te kërkesa e Scholz për marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë në mënyrë që të mos lejohet ndikimi i Rusisë në rajon.
Theks të veçantë në këto raportime ka marrë edhe deklarata e Scholz ku përgëzon Kosovën në lidhje me pozicionin e qartë për krizën në Ukrainë dhe sanksionet kundër Rusisë.
Televizioni publik i Gjermanisë ARD, ka raportuar se Scholz dëshiron që të ndihmojë Ballkanin Perëndimor për t’u integruar në BE.
“Kancelari Olaf Scholz do që të sigurojë stabilitetin e Ballkanit Perëndimor dhe të punojë për pranimin e shpejtë të këtij rajoni në BE: “Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet t’i përkasin Bashkimit Evropian”, citon ARD fjalimin e Scholz pas takimit me Kurtin.
Media tjetër e njohur ndërkombëtare Euronews në gjuhën gjermane ka raportuar për takimet e kancelarit të Gjermanisë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Euronews raporton se ndër bisedimet kryesore u përqendruan në luftën në Ukrainë. Por dialogu sipas tyre edhe dialogu për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi ka marrë gjithashtu një shtysë të re.
Mediumi ka vënë theksin edhe te lëvdatat që i ka bërë kancelari gjerman pozicionimit të qartë të Kosovës në lidhje me luftën në Ukrainë dhe sanksionet kundër Rusisë.