Fetoshi: Kurti ta shfrytëzojë rreshtimin e Serbisë me Rusinë, të angazhohet drejt BE-së e SHBA-së

Aktuale

Fetoshi: Kurti ta shfrytëzojë rreshtimin e Serbisë me Rusinë, të angazhohet drejt BE-së e SHBA-së

Më: 5 maj 2022 Në ora: 00:48
Arben Fetoshi

Profesori universitar, Arben Fetoshi tha se Kurti duhet të angazhohet fuqishëm drejt Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Fetoshi tha se Qeveria e Kosovës e në veçanti kryeministri Kurti duhet të shfrytëzojë monetumin e ri politik.

“Qeveria jonë, në veçanti Kurti duhet të angazhohet fuqishëm si dhe të aktivizohet në drejtim të Bashkimit Evropian edhe në Drejtim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ta shfrytëzojë rreshtimin e Serbisë me Rusinë në kuadër të zhvillimeve të fundit. Si dhe ta shfrytëzojë momentumin e ri kur nuk kemi asnjë rrezik që ta kemi Putinin si palë problematike në fazën finale të dialogut me Serbinë”, tha Fetoshi në emisionin “Infonata”.

Mirëpo, sipas tij rëndësia e takimeve të sotme në Berlin ka të bëjë me rikthimin e vëmendjes së faktorëve perëndimorë lidhur me çështjen e dialogut Kosovë-Serbi.

Teksa shtoi se Kosova në kohët e fundit ka pasur vëmendje të shtuar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës duke filluar nga vizita të shumta të senatorëve, e së fundmi edhe vizita e ndihmës sekretares së SHBA-së, Karen Donfried.

“Rëndësia e takimeve të sotme në Berlin, besoj që është në vazhdën e vëmendjes së rikthyer të faktorëve perëndimorë në çështjen e dialogut Kosovë-Serbi. Kemi parë kohëve të fundit vëmendje të shtuar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës me vizitat e senatorëve para disa ditësh, të ndihmës sekretares ditëve të fundit, pastaj me angazhimin e drejtë për drejtë të Escobar. Në këtë kuadër besoj që iniciativa e kancelarit është gjithashtu tregues për rikthimin e vëmendjes perëndimore në këtë çështje, pikërisht për shkak të reflektimeve që ka invazioni rus në Ukrainë”, shtoi tutje Fetoshi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat