Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të mërkurën ishte për vizitë zyrtare në Berlin ku takoi kancelarin gjerman Olaf Scholz e më pas pati një darkë joformale me presidentin serb Aleksandar Vuçiq bashkë me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.
Ajo çka ra në sy në takimin e Kurtit në aspektin protokollar me kancelarin gjerman Scholz ishte pozita në të cilën ishte ulur kryeministri i Kosovës. Kurti ishte ulur krah kancelarit teksa shihej më i relaksuar sesa presidenti serb Vuçiq i cili ishte ulur përballë Scholzit.
Kështu tha eksperti i Protokollit, Haki Merovci, i cili shtoi se gjatë takimit mes kancelarit Scholz e presidentit serb këtij të fundit iu dha një mesazh sfidues politik.
“Takimi me Kurtin është më relaksues dhe me doza të takimit joformal. Takimi me Vuçiqin pak a shumë tetë a tetë, por me një mesazh të karakterit serioz të bisedimit, kjo pak a shumë e sfidon Vuçiqin për targetin e tij politik”, është shprehur Merovci.
Tutje, ai tha se edhe darka joformale mes krerëve të shtetit bashkë me Lajçakun ka rrëshqitur në nivelin e rangjeve, ku sipas Merovcit, në atë situatë Kurti paramendohej në rolin e nikoqirit.
“Megjithatë, unë mendoj se është një “diskriminim pozitiv” nga ana e protokollit të nikoqirit”, është shprehur Merovci.
Më tej, ai tha se tek fotoja ku shihen pesë personalitetet ku në mesin e tyre janë Kurti, Vuçiqi e Lajçaku, presidenti serb është vendosur në vend të nikoqirit.
“Në vend të përfundimit, sot protokolli ka evoluar tej mase duke rrëshqitur në norma spontane, pa ndonjë organizim të mirëfilltë i mirëpritur nga palët në ceremoni”, tha Merovci.
Për ekspertin e Protokollit, Ambasada e Kosovës në Berlin është karrigia më stabile duke u koordinuar me protokollin e shtetit gjerman., ku për takime si ai i djeshmi, Merovci tha se është detyrë e protokollit gjerman të organizojë takime të tilla.