Shpresa Emra është zgjedhur të enjten kryetare e Gjykatës Themelore në Prizren, mandati i së cilës do të jetë pesë vjeçar.
Emra është gjyqtare në departamentin e përgjithshëm të Gjykatës Themelore të Prizrenit.
Në vitin 2014, ajo është zgjedhur si Gjyqtare Koordinatore për regjionin e Prizrenit në kuadër të forumit të gjyqtareve dhe prokuroreve, të cilën pozitë e mban edhe sot.
Kryetarja Emra, vitin e kaluar ka deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit se ka një pasuri të paluajtshme në vlerë prej 100 mijë euro.
Në këtë pasuri, ajo ka deklaruar se ka një banesë në vlerë 60 mijë euro dhe një tokë me sipërfaqe prej 86 ari, të deklaruara si trashëgimi në vlerë prej 40 mijë euro.
Ajo po ashtu ka deklaruar se posedon një veturë në vlerë prej shtatë mijë dhe një veturë tjetër pesë mijë euro më të shtrenjtë.
Në deklarimin e pasurisë, ajo ka mbi 18 mijë euro në disa prej bankave të Kosovës.
Kurse, shuma totale e detyrimeve financiare që gjyqtarja Emra ka thuhet se është 224 euro.
Emra ka deklaruar se ka marrë 21 mijë euro pagë vjetore nga buxheti i Kosovës.
Sot, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), në takimin e 286-të me radhë, nën udhëheqjen e Kryesuesit, Albert Zogaj, ka bërë përzgjedhjen dhe emërimin e Kryetares së Gjykatës Themelore në Prizren.
Anëtarët e Këshillit shqyrtuan raportet e kandidatëve për Kryetar të Gjykatës Themelore në Prizren, mandati i të cilit është pesë (5) vjeçar.
Sipas rekomandimeve të komisioneve vlerësuese për intervistimin, vlerësimin dhe rekomandimin e kandidatëve dhe pas zhvillimit të procesit të votimit, me shumicë votash, zgjodhën gjyqtaren Shpresa Emra, Kryetare të Gjykatës Themelore në Prizren.