Sot në Kuvendin e Kosovës pati debat të ashpër mes deputetëve të VV-së dhe të opozitës. Debat i cili rezultoi me themelimin e dy komisioneve hetimore parlamentare për energjinë.
Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, formimin e komisionit të propozuar nga opozita e ka quajtur si fitore të së drejtës legjitime për të hetuar çdo parregullsi në vend.
Tahiri, theksoi se që nga fillimi mosvotimi i këtij nga ana e VV-së, ishte gabim. Ndërkaq, shtoi se strategjia e arrogancës që po e përdor shumica parlamentare është e dëmshme për vendin.
Tahiri kritikoi ekzekutivin edhe për çështje të tjera, e ndër to edhe për Ligjin e pagave.
Shkrimi i plotë:
Që nga dita e parë, ishte gabim dhe arrogancë e tepruar e LVV-së, mosvotimi i komisionit hetimor parlamentar për gjendjen energjetike në vend.
Humbëm shumë kohë në një debat të panevojshëm, debat i cili për një moment i mënjanoi nga debati publik temat më të rëndësishme për vendin - ato që ndërlidhen me jetën e qytetarit.
Kemi hyrë në vitin e dytë të qeverisjes Kurti, askund nuk është Ligji i Pagave, e siç po shihet edhe këtë vit nuk do të miratohet.
Jemi në vitin e dytë kur nuk ka asnjë ndihmë konkrete për rimëkëmbje ekonomike. Ka vetëm fjalë e fjalime me rimë.
Jemi në vitin e dytë pa vendim për trustin, pa vendim për subvencione të bizneseve, pa asgjë.
Strategjinë e arrogancës që po e përdor shumica parlamentare është e dëmshme për vendin.
Sot, fitoi e drejta legjitime e opozitës për të hetuar parregullsi, sikurse që u mënjanua një debat i cili është dashur të kryhet brenda një dite.
Duhet ta kuptojnë mirë LVV dhe Kryeministri Kurti se demokracia për nga natyra është komplekse por që koha ka dëshmuar se është modeli më i mirë për kombet dhe shoqëritë e lira.