Kryetari i Grupit Punues për hartimin e draftit përfundimtar të koncept-dokumentit për Themelimin e Fondit Sovran, Besnik Pula, ka konfirmuar se Qeverisë së Kosovës i është dorëzuar ky dokument pas komenteve që kanë pranuar prej daljes në publik.
“Kemi marrë komentet e qytetarëve, institucioneve vendore dhe ndërkombëtare dhe së fundmi e kemi dorëzuar në qeveri ku pritet të kalojë së shpejti në miratimin përfundimtar”, është shprehur Pula për emisionin PORTOFOL.
Ai ka theksuar se vlerësimet për draftin e dokumentit kanë qenë pozitive.
“Ka pasur komente nga aspektet e ndryshme si financimi, ndikimi buxhetor që mund të ketë deri të aspektet teknike të veprimtarisë. Dokumenti është hap i parë, pastaj duhet të kalojë në proces të hartimit të ligjit dhe të dalë në diskutim parlamentar”.
Pula në intervistë ka thënë se me Fondin Sovran synohet që të bëhet riorganizimi i sektorit publik që ka karakter komercial.
“Fondi është alternativë solide se si të ruhet pronësia e ndërmarrjeve publike, pronësia e të cilave mbetet e shtetit dhe me këtë rriten gjasat për mirëmbajtje të punësimit dhe ruajtje të benefiteve që të sillet përmes dividendëve”, ka shtuar ai ndër të tjera.