Shëtitja me trotinet mbrëmjen e 24 prillit në Gjenevë do ta shndërronte në hero Mexhid Rashitin. Gjilanasi që jeton në Zvicër e shpëtoi serben 60-vjeçare, Ivana, që kishte mbetur brenda shtëpisë që po i digjej.
“Direkt e kam thyer dritaren, kam hyrë brenda dhe e pashë atë gruan. E kam marrë, e kam sjellë te dritarja sepse nuk mund ta tërhiqja për ta larguar jashtë”, rrëfen Rashiti.
26-vjeçari tregon se arriti ta shmangë më të keqen deri erdhën zjarrfikësit.
“E kam marrë një bombole për ta fikur zjarrin, kam hy brenda e kam fikë zjarrin, në ato momente kanë ardhë zjarrfikësit”, tregon ai.
Për veprën e kosovarit shkruan edhe mediat zvicerane, duke thënë se e shpëtoi një serbe, ani pse kombet e të dyve kanë armiqësi mes vete.
“Sidoqoftë, unë kam hyrë me e shpëtu një shpirt, që themi ne, nuk më ka interesuar se çfarë origjine ka, a është zvicerane apo serbe”, shprehet gjilanasi.
Rashiti tregon se, pas këtij rasti, ka biseduar vetëm një herë shkurt me Ivanën, e cila e ka falënderuar shumë që ia ka shpëtuar jetën.