Kryediplomatja e Kosovës, Donika Gërvalla, ka folur rreth përplasjes që ka pasur në Këshillin e Sigurimit me homologun serb, Nikola Selakoviq.
Gërvalla, në Sytë 7 në Klan Kosova, deklaroi se Selakoviq dhe politikanët serbë nuk lënë tjetër alternativë për komunikim.
“Do të doja që me homologun serb të kishim biseda të tjera, të kishim paraqitje të tjera dhe të mos ishin të nevojshme përplasjet e kësaj natyre para syve të të gjithë botës. Por, fatkeqësisht homologu serb por edhe politikanë të tjerë në Serbi nuk të lënë alternativë tjetër për shkak të gjuhës, sjelljeve dhe mënyrës se si shprehen për Kosovën. Prandaj, ne punojmë për Kosovën dhe ata luftojnë për veten dhe të shohim se kur dhe si do të arrijmë zgjidhjen me Serbinë”.
Mes tjerash, kryediplomatja thotë se po punojnë shumë për marrëveshjen finale me njohje të ndërsjellët.
“Sa i përket raporteve me homologun serb, unë vërtetë do të dëshiroja që të arrijmë në atë fazë dhe për këtë po punojmë shumë, që të arrijmë marrëveshjen finale e cila do të jetë asgjë më pak e asgjë më shumë sesa njohja e ndërsjellët” tha Gërvalla.
Tutje, Gërvalla ka folur edhe për misionin e UNMIK-ut në Kosovë, të cilin e cilësoi edhe pa asnjë lloj efekti veçse votat unanime për largimin e këtij misioni në Këshillin e Sigurimit është problem pasi Rusia bën pjesë aty.
“Nuk ka informacione se kur mund të pushojë misioni i UNMIK-ut. Ne kemi përkrahjen e plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për zëvendësimin e misionit të këtij misioni me diçka tjetër që i shërben vendit më shumë. Është një shumë e jashtëzakonshme parash që paguhet çdo vit për këtë mision, i cili në fund të fundit në Kosovë nuk ka asnjë lloj efekti”.
“Ne bashkëpunojmë me tepër mirë me të gjitha institucionet, organizatat, agjencitë e Kombeve të Bashkuara. Pra, ky nuk është një skepticizëm i Kosovës në raport me Kombet e Bashkuara, por me këtë mekanizëm i cili shpesh ka treguar të jetë shumë i njëanshëm. Prandaj, jemi duke punuar për t’ju shpjeguar të gjithëve që UNMIK-u është i panevojshëm në Kosovë – por duhet të jemi të ndërgjegjshëm që UNMIK-u është i caktuar nga Këshilli i Sigurimit dhe aty çdo herë ekziston mekanizmi i votës unanime dhe duke pasur Rusinë në Këshillin e Sigurimit gjithmonë do të jetë e vështirë që të arrijmë vendimet të cilat i dëshirojmë”, deklaroi kryediplomatja kosovare.