Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshill të Evropës, dhe gjasat për të bërë anëtare janë të mëdha, sidomos tani kur Rusia është përjashtuar nga kjo organizatë ndërkombëtare. Profesori i Shkencave Politike Dritëro Arifi, tregon se cilat janë procedurat e mëtejme deri në anëtarësim dhe përfitimet që do t’i ketë shteti i Kosovës dhe qytetarët e saj, me pranimin në këtë organizatë.
Janë dy forma se si aplikohet për anëtarësim në KE. Njëra me vetë-aplikim dhe tjetra përmes ftesës që mund të bëjë ndonjë shtet anëtar, shpjegon profesori Arifi.
“Shteti mund ta bëjë aplikimin vet apo nëse ndonjë shtet anëtar i KE’së mund ta ftojë shtetin që ka synim anëtarësimin”, thotë Arifi.
Momenti kryesor është ai i votimit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit, dhe këtu Kosova pritet të mos ketë problem, pasi shumica e vendeve anëtare, e kanë njohur shtetin kosovar.
“Aty bëhet aplikimi dhe komiteti i ministrave e angazhon Asamblenë Parlamentare që ta bëjë një verifikim të shtetit kërkues, që a i plotëson të gjitha kushtet dhe kriteret. Pastaj Asambleja Parlamentare e formon një komision i cili bën verifikimin e të gjitha akteve ligjore, pra i bën një skenim të ligjeve që duhet të plotësohen, siç është në këtë rast Karta Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Karta Evropiane Sociale, Ligjet që lidhen me Pakicat Kombëtare, Ligjet për parandalimin e torturës, gjë të cilën Kosova i përmbush 100%. Votimi më pas bëhet në Asamblenë Parlamentare me 2/3 votave, me shumicë absolute që të kalojë. Për fat të mirë, Kosova, teknikisht i ka votat, por politikisht duhet të lobojë që të arrihet 2/3 e votave”, thotë profesori Arifi.
Ndërsa, sa i përket afateve dhe datës se kur mund ta fitojë Kosova statusin e anëtarit, sipas Arifit varet se sa kohë i merr Komisionit përpilimi i raportit.
“Kjo varet se kur Komisioni përfundon raportin përfundimtar, dhe pastaj caktohet data”.
Përfitimet e Kosovës nga anëtarësimi në KE janë të shumëfishta, që nga forcimi i subjektivitetit ndërkombëtar, e deri edhe të lehtësimi i procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“E para Kosova përfiton, duke bërë hap të rëndësishëm drejtë zhbllokimit të izolimit ndërkombëtar. Gjithashtu, bëhemi pjesë e një organizate që mbron të Drejtat e Njeriut, avancimin e tolerancës ndër etnike, ehe mbi të gjitha bëhet një lloj zyrtarizimi i subjektivitetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Këtu nuk përfiton vetëm Kosova, por edhe demokracia liberale, pasi Këshillit të Evropës i shtohet edhe një vend demokratik që aspiron që të jetë në fazën e mëvonshme edhe anëtar i Bashkimit Evropian”, thotë profesor Arifi.