Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu i është përgjigjur me një shkresë trupit gjykues, të kryesuar nga Mappie Veldt- Foglia, që gjykon rastin e Salih Mustafës e që i kishte kërkuar Ministrisë së Drejtësisë (MD), që të ofrojë parashtresa të mëtejshme sa i përket kompensimit të viktimave.
Ky trup gjykues, kishte marrë vendim në të cilin thuhet se nëse Salih Mustafa shpallet fajtor, viktimat nuk do të referohen në gjykatat e Kosovës për zhdëmtim.
Specialja kishte ardhur në përfundim se gjykatat vendore nuk japin një qasje realiste lidhur me viktimat e krimeve, për të cilat ngrihen akuzat në këtë çështje gjyqësore, sa i takon pretendimeve për zhdëmtim.
Po ashtu, kishte kërkuar nga MD që të përgjigjet në disa pyetje sa i përket kompensimit të viktimave.
Kjo ministri, i kishte kthyer përgjigje këtij trupi gjykues.
Ndërkaq, sërish trupi gjykues i ishte drejtuar me shkresë ministrisë.
Në përgjigjen e ministres Haxhiu thuhet se viktimat e krimit, duke përfshirë edhe viktimat nën juridiksionin e Dhomave të Specializuara, personalisht apo përmes përfaqësuesit të autorizuar të tij – mbrojtësi i viktimave apo avokati privat, mund të përfitojnë kompensimin apo dëmshpërblimin nga Fondi i Kompensimit të Viktimave të Kosovës vetëm pasi që fillimisht të kërkojnë dëmshpërblim nga i akuzuari edhe në rastet kur vërtetohet se i akuzuari mund që të ofrojë dëmshpërblimin pjesërisht apo tërësisht për viktimën.
Sipas shkresës, nëse gjykata (kolegji) nuk mund të urdhërojë kompensimin nga i pandehuri për shkak të rrethanave të përcaktuara në ligj, i dëmtuari ka të drejtë që të kërkoj nga gjykata (kolegji) që të dërgoj urdhrin për kompensim te koordinatori i Fondit për Kompensimin e Viktimave.
“Veprat penale për të cilat mund të kompensohen apo të përfitojnë dëmshpërblim, procedura për realizimin e kompensimit apo dëmshpërblimi, kushtet ( formale dhe materiale) dhe kriteret për kompensim janë të përcaktuara në legjislacionin përkatës në fuqi për kompensimin e viktimave të krimit”, thuhet në përgjigje të ministres.
Tutje, thuhet se anonimiteti është pjesë integrale e kornizës ligjore të mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut dhe si i tillë gjen vend dhe zbatim në dispozitat përkatëse të Kodit të Procedurëës Penale të Kosovës.
“Edhe pse nuk është cekur taksativisht për raste të tilla, konsiderojmë dhe vlerësojnë se kompensimi apo dëmshpërblimi i viktimave të krimit nën juridiksionin e Dhomave të Specializuara, pas lëshimit të urdhrit për kompensim, nëse është e arsyeshme për të shmangur çfarëdo rrethane eventuale të krijuar që do ndikonte në dinjitetin e viktimës së krimit, mund të mbetet anonim por vetëm përtej personave kompetent që merren me administrimin dhe ekzekutimin e kërkesës për kompensim ( komisioni dhe njësia përkatëse)”, thuhet në shkresë.
Ajo thotë se me këtë rast, bëjnë me dijë se anonimiteti vjen në shprehje në të gjitha rastet e tjera, përveç gjatë trajtimit dhe administrimit të lëndës nga personat kompetent.
“Edhe ashtu, sipas legjislacionit përkatës në fuqi, dokumentet përcjellëse të kërkesës për kompensim janë konfidenciale dhe trajtohen si të tilla dhe parashtruesi i kërkesës duhet të jep pëlqimin e vet për përpunimin e të dhënave personale, në rast nevoje”, thotë shkresa.
Në shkresë të Haxhiut thuhet se pas lëshimit të urdhrit për kompensim nga gjykata (kolegji), legjislacioni përkatës në fuqi, përcakton qartë se viktimat e krimit mund të kërkojnë ndihmën e mbrojtësit të viktimave apo organizatave jo qeveritare që ofrojnë ndihmë juridike falas apo angazhimit të ndonjë avokati privat.
“Për njoftimin tuaj, termi “përfaqësues i autorizuar” nënkupton personin fizik apo juridik që pala me autorizim i jep të drejta dhe detyrime që të veprojë në emër dhe për llogari të palës. Është në diskrecionin e viktimës së krimit për t’i dhënë besimin personit fizik apo juridik për të përfaqësuar në procedura të tilla dhe është detyrim i të autorizuarit që të ruaj anonimitetin e viktimës dhe konfidencialitetin e informatave, veçanërisht kur kemi të bëjmë me raste të ndjeshme”, thuhet tutje.
Ministrja Haxhiu ka shkruar se në rastin konkret, për të shmangur çfarëdo lloj elementi të konfliktit të interesit, administratori nuk mund të jetë si i autorizuar i viktimës së krimit për të kërkuar në emër të saj kompensimin apo dëmshpërblimin në fond.
Lidhur me atë se a mund të krijohet një fond i financuar nga buxheti i Kosovës ose në ndonjë mënyrë tjetër për të cilin administratori do të mund të aplikonte për kompensim në emër të viktimave për të ruajtur anonimitetin e tyre, në përgjigje të ministres thuhet se aktualisht nuk ka një rregullim të tillë ligjor.
Sipas saj, mundësia e themelimit të një fondi të veçantë dhe të një rregullore të veçantë mbi bazën e së cilës do të aplikohej kjo procedurë, gjithmonë është relative dhe përmes dhënies së autorizimit ligjor të një ligji ekzistues.
“Pra, organi legjislativ, nëse ekziston një vullnet i tillë mund të themelojë fonde të veçantë dhe të aplikojë rregullore të veçantë për zbatimin e realizimit të kërkesave për dëmshpërblim nga ai fond i veçantë, përmes krijimit të një kornize ligjore”, thuhet në shkresë.
Ndërsa, shkresa thotë se organet ekzekutive, mund t’i themelojnë këto fonde vetëm nëse kanë një bazë të caktuar të një ligji të veçantë, siç është rasti i financimit të mbrojtësve të të akuzuarve pranë Dhomave të Specializuara, që bëhet përmes Ligjit nr.05/L-054
“Mirëpo, momentalisht program përkatës i themeluar për këtë qëllim është Fondi i Kompensimit, ku viktima e krimit nënkupton viktimën siç definohet me Kodin e Procedurës Penale, e që rrjedhimisht bëjnë pjesë edhe viktimat e krimit nën juridiksionin e Dhomave të Specializuara. Ndërsa, si mekanizëm përkatës për të shqyrtuar kërkesat për kompensim është Komisioni Qeveritar për Kompensimin e Viktimave të Krimit, i cili nuk ka diskrecion që të refuzojë një kërkesë për kompensim, kur ajo i plotëson kushtet e përcaktuara ligjore”, thuhet në shkresë.
Tutje, thuhet se përkundrazi, ky Komision, kur plotësohen kushtet ligjore, mund të shqyrtojë kërkesat për kompensim edhe për kategori tjera të veprave penale (përveç atyre që parashihen si të kompenzueshme) nga personat që pretendojnë që janë viktima të krimit të veprave të tjera të dhunshme.
“Sa i përket parashkrimit, ashtu siç e përcaktojnë rregullat në fuqi, kërkesa për realizimin e kompensimit në Fond, parashkruhet në afatin prej gjashtë muajsh nga dita e plotfuqishmërisë së vendimit gjyqësor”, thuhet aty.
Sipas kësaj shkrese, Ministria e Drejtësisë, mbetet e përkushtuar për adresimin e secilës çështje konkrete përkitazi me zbatimin e kompensimit të viktimave të krimit nën juridiksionin e Dhomave të Specializuara, në linjë të kërkesave të DhS,
Ndryshe, aktakuza ndaj Salih Mustafës ishte konfirmuar më 12 qershor 2020, ku ngarkohet për krime lufte.
“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”, ka njoftuar Gjykata Speciale përmes një komunikate.
Bëhet e ditur se në aktakuzën e konfirmuar, Salih Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt.