Në kuadër të vizitës në Bruksel, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla është takuar me përfaqësues të ndryshëm nga DG Home dhe DG Near në kuadër të Komisionit Evropian.
Sveçla në këtë takim ka ritheksuar nevojën urgjente që qytetarëve të Kosovës të iu mundësohet liberalizimi i vizave.
“Gjatë këtyre takimeve biseduam për arritjet konkrete të Ministrisë së Punëve të Brendshme në fushën e luftimit të krimit, korrupsionit dhe terrorizmit dhe nevojën e bashkëpunimit të ngushtë për siguri dhe stabilitet në rajon dhe më gjerë. Me këtë rast ritheksova nevojën urgjente që qytetarëve të Kosovës të iu mundësohet liberalizimi i vizave dhe Kosova të trajtohet e barabartë me vendet tjera të rajonit”, ka shkruar ai në një postim në Facebook.
Sipas tij, Johannes Luchner nga DG HOME e ka rikonfirmuar se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret dhe Komisioni Evropian mbështet plotësisht liberalizimin e vizave për Kosovën.
“Z.Johannes Luchner nga DG HOME, rikonfirmoi se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret dhe KE mbështet plotësisht liberalizimin e vizave për Kosovën. Gjithashtu diskutuam dhe për projekte konkrete për mbështetje të MPB-së, Policisë së Kosovës në luftimin e krimit ndërkufitar”, tha Sveçla.