Ka nisur konferenca e parë e përbashkët profesionale ndërmjet Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës Supreme të Kosovës, me Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë të Shqipërisë. Në këtë konferencë dyditore do të bëhet trajtimi krahasimor dhe gjithëpërfshirës i rolit dhe kompetencave të të dy juridiksioneve, duke iu referuar kuadrit ligjor gjerman e evropian. Tema e kësaj konference është “Ndërveprimi ndërmjet juridiksionit gjyqësor dhe kushtetues në interes të shtetit të se drejtës: Përvoja nga Kosova, Shqipëria dhe Gjermania”.
Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Gresa Caka-Nimani tha se raportet me Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë janë konsoliduar ndër vite në aspektin profesional e personal.
Caka-Nimani: Mirëpres mundësinë e jashtëzakonshme të shkëmbimit tonë profesional
“Mirëpres mundësinë e jashtëzakonshme të shkëmbimit tonë profesional, posaçërisht në dritën e përvojës së Republikës së Shqipërisë, marrë parasysh që ajo është disa dekada më e pasur se ajo e Republikës tonë. Në të cilën, ndërveprimi, përkatësisht ndërtimi dhe konsolidimi i traditës së definimit të kufijve juridiksional kushtetues e gjyqësor i përket vetëm dekadës së fundit. Sigurisht që përgjatë kësaj dekade me kolegët e Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës kemi pasur debate të shumta profesionale, duke përfshirë edhe pikat prerëse mes vlerësimit të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë”, ka thënë ajo.
E para e Gjykatës Kushtetuese në Kosovë përmendi edhe tri parimet themelore që përcaktojnë raportin e juridiksioneve.
Caka-Nimani: Parimi i çlirimit, subsidiaritetit dhe doktrinës së shkallës së katërt
“Parimi i çlirimit të mjeteve juridike si në aspektin substancial edhe në aspektin procedural. Parimi i subsidiaritetit, doktrina e shkallës së katërt sipërfaqësisht në mënyrë të përgjithësuar saktësojnë që kontrolli i kushtetueses individual vihet në lëvizje vetëm pasi të kenë thënë fjalën e tyre përfundimtare gjykatat e rregullta. Dhe, bazuar në praktikat që burojnë nga jurispudenca e gjykatave kushtetuese të konsoliduara përfshirë Gjykatën Kushtetuese Gjermane, por edhe praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut kufizohet vetëm në vlerësimin nëse vendimi i kontestuar i gjykatës përkatëse, nëse është nxjerrë në shkelje të dispozitave kushtetuese”, ka shtuar ajo.
Sipas saj, debati në këto dy ditë do të jetë i rëndësishëm në ato fusha ku juridiksioni kushtetues dhe gjyqësor pik-prehen më së shumti.
Ndërkaq, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, Vitore Tusha tha se komunikimi mes Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë është i rëndësishëm për të evidentuar problematika.
Tusha: Kufijtë duhet të jenë të qartë dhe të aplikohen si të tillë
“Duke qenë që Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë edhe ajo e Kosovës nuk bëjnë pjesë në sistemin gjyqësor, wshtw me rëndësi të veçantë ruajtja e pavarësisë së dy juridiksioneve, si e pavarësisë së juridiksionit kushtetues ashtu edhe pavarësisë së pushtetit gjyqësor. Pra, në këtë kuptim kufijtë duhet të jenë të qartë dhe të aplikohen si të tillë. Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë duke iu referuar parimit themelor të ndarjes së pushteteve, koncepteve madje kushtetuese mbi funksionet dhe kufijtë e pushteteve të secilit organ nuk ka lejuar përmes vendimmarrjes së saj dhe nuk lejon asnjë organ kushtetues që të tejkalojë kompetencat e veta. Por, as vet ajo vetvetes nuk ia lejon që këta kufij t’i kapërcejë”, ka shtuar Tusha.
Në Kosovë e Shqipëri, gjykatat kushtetuese janë shkalla e fundit për interpretimin dhe verifikimin e kushtetutshmërisë së ligjeve dhe akteve.