Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, kohë më parë zhvilloi takime me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
Takimi i tij, u prit me kritika të shumta, marrë parasysh qëndrimet politike të Ramës dhe afërsinë e tij më Vuçiqin.
Mirëpo, deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku- Rexhepi e vlerësoi lartë vizitën e Abdixhikut në Shqipëri.
Ajo në një bashkëbisedim me “Bota sot”, tha se mesazhi për Ramën ishte ndjekja e rrugës së Amerikës dhe aleatëve evropianë.
“Mesazhi ynë është ndjekja e rrugës së SHBA-së dhe aleatëve evropianë. Ne kemi bërë punë të shkëlqyer që shkuam në Shqipëri si LDK, sepse është për keqardhje prishja e raporteve me Shqipërinë, siç i prishi Albini me ndërhyrjen në zgjedhjet në Shqipëri”, deklaroi deputetja.
Krahas kësaj, Bunjaku-Rexhepi komentoi edhe koventat e LDK-së në diasporë. Ajo njoftoi se gjeneratat e reja po rikthehen në LDK, pasi janë të zhgënjyer me LVV-në.
“Po vijmë me një energji të re. Mërgata ka qenë gjithmonë LDK, por gjeneratat e reja të prindërve ldkistë kanë besuar t'ia japin shansin LVV-së. Por janë zhgënjyer shumë dhe po rikthehen në LDK, si etërit e tyre. Po rikthehemi fuqishëm. Jemi parti institucionaliste. Shtet-formuese”, tha ndër të tjera Valentina Bunajku-Rexhepi.