Gjykata Speciale i ka shpallur fajtorë dhe i ka dënuar me nga katër vjet e gjysmë burgim dhe gjobë prej nga 100 euro Hysni Gucatin dhe Nasim Haradinajn, ish-drejtues të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK).
Atyre do t’ju llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.
E lidhur me vendimin e Gjykatës Speciale, ka folur ish-komandanti i UÇK-së, Nuredin Ibishi.
Ai tha se vendimi ndaj dy krerëve të OVL-UCK-së është i rëndë dhe se pret që shkalla e dytë do ta zbusë dënimin.
“Vendimi është i rëndë, në kuptim të asaj se ata nuk kanë pasur faj për qasjet sekrete, ata nuk kanë qenë kompetent për dosjet që dikush i ka lënë të zyrat e tyre, mendoj se dënimi është i rëndë, çështjet që janë lidhur në aktakuzë nuk kanë qenë kompetencë e tyre. Çdo vendim nën pesë vjet duhet të mbrohet në liri, unë pres që në shkallën e dytë të zbutet dënimi”, tha ai
Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 në Prishtinë, Kosovë, dhe u transferuan në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës, përkatësisht më 25 dhe 26 shtator 2020.