Sekretari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Faton Klinaku, është shprehur i habitur me aktgjykimin e Gjykatës Speciale, e cila i shpalli fajtorë dy krerët e kësaj organizate, Hysni Gucatin e Nasim Haradinaj, dhe i dënoi me nga katër vjet e gjysmë burg dhe 100 euro gjobë.
Klinaku e ka quajtur skandal faktin që Gucati e Haradinaj u dënuan, e ai jo.
Sipas tij, do të duhej të arrestohej i gjithë grupi.
“Në aktakuzë po ashtu jam përmendur edhe unë qysh nga fillimi dhe të gjitha këto gjëra që i kanë bërë Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj janë të njëjtat që edhe unë i kam bërë së bashku me ta dhe është çudia më e madhe që ata janë atje dhe unë jam këtu. Dmth nuk e di se këta ose punojnë me direktiva të dikujt ose s’e di… kjo do të duhej të ishte skandal se nëse i dënon dy persona dhe thua se kanë punuar në grup, do të duhej të arrestohej krejt grupi”, tha ai.
Klinaku megjithatë theksoi se nuk kanë bërë publikim të dokumenteve.