Enver Hajdari nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së tha se gjykimi i ish-krerëve të OVL-së, Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinaj ndodhi për shkak se e kanë kundërshtuar Gjykatën Speciale.
“Unë mendoj që janë gjykuar për shkak se e kanë kundërshtuar këtë gjykatë, sepse të arrestohen ish-krerët e UÇK-së për shkak të një skandali që ka dalë nga një gjykatë, është e padrejtë dhe e pandershme. Unë mendoj që vet kjo gjykatë e ka bërë këtë plan, pasi që Serbia ka kurdisur këto gjëra”, tha Hajdari në emisionin Infonata.
Sipas tij, Organizata e Veteranëve e ka pritur një vendim të tillë nga Gjykata Speciale kundrejt Gucatit e Haradinajt.
Teksa shtoi se mënyra se si janë arrestuar të njëjtit mund të quhet edhe kidnapim.
“Për ne si organizatë dhe unë si individ, veç e kemi pritur këtë aktgjykim. Duke e marrë për bazë formimin e kësaj gjykate, dhe arrestimi i Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinaj pa asnjë ftesë, mund ta quajmë edhe kidnapim. Por, megjithatë këtë gjykatë e dimë, kush e ka formuar, dhe çfarë synimi dhe qëllimi ka pasur” tha ai.
Gjykata Speciale sot ka shpallur fajtor ish-drejtuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj për publikimin e dokumenteve të Speciales. Dokumentet ishin sjellë nga persona të panjohur në zyrat e OVL-së së UÇK-së gjatë vitit 2020.