Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri janë përplasur sot në Kuvend për Fondin e Sigurisë.
Murati me këtë rast i ka kërkuar Tahirit të jep dorëheqje nga posti i deputetit, pasi siç tha nuk qëndron pretendimi i tij se në Fondin e Sigurisë nuk janë mbledhur më shumë se 2 milionë euro.
Murati: Jepni dorëheqje që sonte
“Nëse vendosët bast që jepni dorëheqje, ju ftoj që sonte të jepni dorëheqje dhe të shohim apo i qëndroni fjalës. Nuk është ajo që e thatë ju, dorëzojeni dorëheqjen dhe mund t’iu tregojmë privatisht”, tha ai.
Mirëpo, shefi i GP të PDK-së Tahiri e quajti spekulant dhe manipulues ministrin Murati.
Tahiri: Je spekulant dhe manipuluese
“Spekulant dhe manipulues më të madh se ti, ministër të financave s’kemi pas. Ti veç për numra nuk flet”, tha ai.
Më herët sot shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka vënë në bast postin e tij të deputetit nëse janë mbledhur mbi 2 milionë euro në Fondin e Sigurisë për FSK-në.
Gjatë debatit parlamentar për gjendjen e sigurisë në vend, Tahiri tha se Qeveria Kurti dhe mazhoranca s’janë angazhuar për këtë fond.