Në ditën e dytë të përvjetorit të masakrës së Dubravës, hapësirat e këtij burgu i vizituan drejtuesit e institucioneve qeverisëse.
Përveç tyre, këtë vizitë e bënë edhe të mbijetuarit e kësaj masakre dhe studentët e Fakultetit të Juridikut.
Përveç vizitës, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu bënë homazhe para lapidarit në oborrin e këtij burgu.
Ministrja Haxhiu tha se historia e shkruar e kësaj masakre është falë personave që kanë mbijetuar.
Sipas saj, pas 23 viteve prioritet i kësaj qeverie është zbardhja e këtyre rasteve.
Si njërën ndër ngjarjet më të rënda të historisë së vendit e përshkroi i mbijetuari i kësaj masakre, tani ministër i Infrastrukturës, Liburn Aliu.
Aliu ka kujtuar guximin e shqiptarëve në atë periudhë, pavarësisht që të burgosurit përjetuan gjuajtje pandërprerë përmes këtyre mureve.
Nga studentët e drejtësisë, u kërkua bashkëpunim në të ardhmen.
Dekani i këtij fakulteti, Avni Puka, tha se diskutimet për këtë masakër kalojnë edhe në sallat e këtij fakulteti.
Gjatë vitit 1999, në këtë burg ishin të vendosur 960 të burgosur, ku nga ta mbi 117 janë të vrarë dhe rreth 200 të tjerë të plagosur.