Sipas statistikave të publikuara në Kosovë, janë mbi 20 mijë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit.
As 23 vjet pas luftës dhunuesit e këtyre viktimave nuk janë sjellë para drejtësisë.
Për këto viktima, Kosova ka filluar në vitin 2018 procesin e verifikimit të statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës së viteve 1998-1999.
Edhe pse kanë kaluar 4 vjet nga hapja e aplikimit për statusin, numri që kanë aplikuar për njohje të këtij statusi është i vogël.
Në një përgjigje nga Komisioni Qeveritar për njohjen e statusit të viktimave të dhunës seksuale kanë thënë se deri tani kanë aplikuar gjithsej 1699 persona.
Statusin viktimë e dhunës seksuale e kanë fituar 1 mijë e 231 persona nga ta 1 mijë e 176 femra dhe 55 meshkuj.
“Numri i aplikuesve deri më tash është 1699, statusin viktimë e dhunës seksuale e kanë fituar gjithsej 1231 persona nga ta 1176 femra dhe 55 meshkuj”, thuhet në përgjigjen e Komisionit.
Lidhur me numrin e vogël të aplikimeve për këtë status, ka folur sociologia Teutë Rrusta, e cila ka treguar asryet pse viktimat hezitojnë të aplikojnë.
Rrusta thotë se gratë e kanë të vështirë ta pranojnë statusin e viktimës në një shoqëri patriarkale dhe konservatore.
“Morali dhe traditat ende në Kosovë janë shumë të forta edhe me një shoqëri patriarkale dhe konservatore është tejet e vështirë që gratë të pranojnë me shkua dhe me u shkruar si viktima të dhunës seksuale, ky problem mbetet mbas luftërave sepse stigmatizim i këtyre grave dhe familjeve të tyre rëndon mbi to, unë do ja kisha dhënë një kritik shoqërisë për mënyrën se si e kanë trajtuar dhunën seksuale gjatë luftës nëse ne si shoqëri e kishim tejkaluar këtë moralizim kjo nuk kish mundur me u përdor as si armë e luftës”, u shpreh Rrusta.
Sipas sociologes, edhe nga deputetët e Kuvendit është bërë një dëm i madh kundrejt viktimave të dhunës seksuale.
“Është edhe një dëm që ju është bërë viktimave të dhunës seksuale se kur është trajtuar kjo çështje në kuvend mënyra se si deputetët e kanë trajtuar duke kërkuar ekzaminim, dëshmi kur dikush e merr statusin për përfitim e mashtrim të këtij lloji e ne në fakt e kemi problemin tjetër që ka mungesë shumë të madhe të aplikimit”, potencoi ajo.
Çështja e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës është riaktualizuar në kohën e presidentes Atifete Jahjaga, e cila për ta ndihmuar këtë kategori të shoqërisë, në atë kohë krijoi Këshillin Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale, të cilin e udhëhoqi vetë.
Në bazë të ligjit, atyre që u njihet statusi i viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës, përfitojnë benificione personale prej 230 euro në muaj.
Me legjislacionin në fuqi procesi i aplikimit është i hapur deri në muajin shkurt të vitit 2023.