Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka shkruar edhe njëherë lidhur me faturat e energjisë elektrike dhe për vendimin e fundit të Gjykatës së Apelit.
Përmes, një postimi në profilin e tij në Facebook, Abdixhiku ka thënë se derisa tarifat janë kthyer dhe do të llogaritën si më parë, duhet të kthehen edhe paratë e plaçkitua kundërligjshëm për disa muaj rresht.
Abdxihiku ka thënë se si pasojë e kësaj bordi i ZRrE-së, duhet të shkarkohet dhe nga e hëna LDK-ja, do të nisë të gjitha procedurat e nevojshme parlamentare në këtë drejtim.
Postimi i tij i plotë:
Të dashur qytetarë,
Nga sot, fatura tuaja elektrike do të llogariten pa shtrenjtim. Por, nga shkurti e deri më sot, qeveria e paaftë e Kosovës ju ka detyruar të paguani kundërligjshëm rrymën me rritje deri në 100%.
Tarifat u detyruan t’i kthejnë. Tani duhet kthyer edhe paratë e plaçkitura kundërligjshëm për disa muaj rresht. Janë para tuaja; u janë marrë pa të drejtë. Dhe jo vetëm kaq. Bordi i Qeverisë e ZRRE-së, i njëjti që për muaj rresht e në mes të dimrit, ngarkoi familjet kosovare me çmime astronomike në energji – duhet të shkarkohet menjëherë. Ata s’kanë më asnjë kredibilitet.
Nga e hëna, LDK do të nisë të gjitha procedurat e nevojshme parlamentare në këtë drejtim. Kuvendi i Kosovës ka për detyrim sanksionimin e paligjshmërisë.
Shkarkimi është i paalternativë. Siç është e paalternativë dhe përgjegjësia morale e secilit deputet, ministër e vet kryeministrit që me bindje plot mbronin këtë vendim plaçke e diskriminimi që tani më ka marrë vulën e turpit e paligjshmërisë.
Ktheni paratë; shkarkojeni Bordin; mbani përgjegjësi!