Duda Balje ka thënë se në seancë të kuvendit do të zbulohet vota e saj rreth iniciativës për tërheqjen e mjeteve nga Trusti, në një reagim ndaj komenteve ndaj saj pas abstenimit për këtë projektligj në Komisionin Parlamentar për Buxhet.
Deputetja e Kuvendit të Kosovës, pjesë e Grupit Parlamentar 6+, ka shkruar në Facebook se në komision nuk ka pasur të drejtë të votojë në emrin e saj.
Por, ajo ka thënë se qëndrimi përfundimtar i saj ndaj iniciativës për tërheqjen nga Trusti do të bëhet i ditur në seancë plenare të kuvendit.
“Të nderuar qytetarë të Kosovës, vota ime sot në Komisionin për Buxhet dhe Transfere është vota e Grupit Parlamentar Multietnik, nuk kemi qenë kundër, në raport me votat 4 me 4 vendimi ka qenë abstenim. Shihemi për votat në Parlament në momentin e votimit, ku çdo deputet do të votojë në emrin e tij personal! Ps. Nuk kisha të drejtë të votoja në emrin tim sot”, ka shkruar Balje.
Deputetët e VV-së pamundësuan miratimin e propozimit për tërheqjen e mjeteve nga Trusti në mbledhjen e sotme në Komisionin për Buxhet dhe Transfere.
Pesë deputetë të pozitës votuan kundër, ndërkaq pesë të opozitës votuan pro, deputetja Balje abstenoi dhe u pamundësua kalimi i propozimit.