Kryetrari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, përmes një postimi në facebook u ka bërë thirrje votuesve shqiptar në Tërnoc, që ta votojnë Shaip Kamberin dhe “Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës”, të cilët për herë të tretë po i drejtohen kutive të votimit, pasi autoritetet serbe e kanë dërguar këtë qendër në rivotim.
“Si kandidat i vetëm me gjasë për të shtruar e përfaqësuar zërin e shqiptarëve në Luginë, atij i duhet e gjithë mbështetja e votuesve të Qendrës numër 6 në Tërnoc, për të kthyer prapa padrejtësinë e ripërsëritjes së votimit. Prandaj ftoj secilin votues shqiptar në këtë qendër të ripërsëritur, që masivisht, këtë të premte, t’u drejtohen kutive të votimit e të mbështesin Shaipin dhe Koalicionin e Shqiptarëve në Luginë”, ka shkruar Abdixhiku, përcjellë “Bota sot”.
Postimi i plotë:
NË MBËSHTETJE TË SHAIPIT
Këtë të premte, më 27 maj, Shaip Kamberi dhe "Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës" për herë të tretë kërkojnë mbështetjen e shqiptarëve në sigurimin e ulëses së vetme përfaqësimi. Si kandidat i vetëm me gjasë për të shtruar e përfaqësuar zërin e shqiptarëve në Luginë, atij i duhet e gjithë mbështetja e votuesve të Qendrës numër 6 në Tërnoc, për të kthyer prapa padrejtësinë e ripërsëritjes së votimit.
Prandaj ftoj secilin votues shqiptar në këtë qendër të ripërsëritur, që masivisht, këtë të premte, t’u drejtohen kutive të votimit e të mbështesin Shaipin dhe Koalicionin e Shqiptarëve në Luginë.
Shaipi është një patriot i madh. Ai ka qenë një zë i vetmuar por i guximshëm në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Luginë. Prandaj, çdo votë për të është votë për zërin shqiptar në Serbi.