Ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj, ka përmendur disa variante që ka pasur t’i bëjë si shenjë e pakënaqësisë për shkarkimin nga kjo pozitë.
Mes tjerash, Dedaj u shpreh se një variant ka qenë që të hyjë në grevë urie në Ambasadën e Kosovës në Maqedoni.
Ai madje theksoi se ka pasur disa sugjerime nga ana e autoriteteve të këtij shteti fqinj.
“Ka qenë e pabesueshme, deri kur e kam dëgjuar vet me veshët e mi të shkarkohet në atë mënyrë ai ambasador. Pas një reagimi që e kam bërë që prapë do ta kisha bërë, as nuk kërkoj, ata ma kanë dërguar vendimin tjetër që brenda një dite me lëshu ambasadën. Kam menduar variante tjera, që kisha mundur t’i bëjë, me sugjerimin e autoriteteve të Maqedonisë të Veriut, mu kanë lutur të mos bëjë veprime të tilla”, tha ai.
“Një variant ka qenë me hy në shenjë të pakënaqësisë me hy në grevë urie në ambasadë. Një variant që është shumë demokratik, greva është instrument demokratik në krejt botën. Tjetër gjë s’kisha bo, se unë të keqe s’i kam bërë askujt e as nuk i bëj”, deklaroi Dedaj.
Megjithatë, Dedaj në majin e 2020-s pati hedhur akuza të rënda ndaj presidentes Vjosa Osmani, e cila e shkarkoi atë nga pozita e Ambasadorit të Kosovës në Shkup.