Gazetari Xhevdet Pozhari, i njohur për qëndrimet e tij të afërta me Lëvizjen Vetëvendosje, ka kundërshtuar qëndrimin e pushtetit qeverisës në raport me iniciativën për tërheqjen e mjeteve nga Fondet Pensionale të Kosovës.
Pozhari tha sot se qeveritë e kaluara i kanë rritur pagat përkundër kundërshtimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Qëndrimin e FMN-në kundër ndryshim-plotësimit të Ligjit për Fondet Pensionale, e ka përdorur si arsyetim për refuzimin e propozimeve ligjore të iniciuara nga opozita edhe Mimoza Kusari-Lila, shefe e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.
Pozhari në fund e përmendi se FMN nuk ka të drejtë vote në Kosovë, ndërsa qytetarët po.
Postimi i plotë:
Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka dal edhe kundër tërheqjes së Trustit edhe kundër vendimit të Gjykatës për anulimin e tarifave të shtrenjta të energjisë.
Pra, FMN po kërkon që të paguajmë ma shtrenjtë energji dhe mos të jepen paret e trustit.
Për ata që kanë memorie të peshkut, vlen të rikujtojmë se FMN ka qenë edhe kundër ngritjes së pagave në Qeverisjet e kaluara.
E, qeveritarëve që e përdorin këtë argument, duhet me ua rikujtu që FMN nuk ka të drejtë vote në Kosovë. Ne po!