Policia e Kosovës është vënë pas Hyqymet Qorrit dhe Lirim Tushës, të dy nga Kaçaniku, të dyshuar për vrasjen e Hasan Berishës dhe plagosjen e vëllait të tij, Kastriotit, më 10 maj.
Sipas burimeve të mërkurën mbrëma i dyshuari Lirim Tusha është parë në Han të Elezit nga qytetarë të cilët e kanë lajmëruar policinë.
Njësite të policisë e kanë ndjekur atë në Han të Elezit, bëjnë me dije burimet, por ai ka arritur të arratiset.
Tusha dhe i dyshuari tjetër, Hyqymet Qorri, ndodhen në arrati prej 14 ditësh. Kësisoj, një urdhër-arrest është lëshuar ndaj tyre nga Prokuroria e Ferizajt, bëri të ditur policia disa ditë më parë.
Organi i rendit dhe ligjit ka publikuar fotografitë dhe zbardhi identitetet e plota të dy të dyshuarve, si dhe kërkoi ndihmën e qytetarëve për lokalizimin dhe arrestimin e tyre.