Kurti uron inspektoren e re të FSK-së: Pjesëmarrja e grave dhe vajzave në ushtri, tejkalon vetveten

Aktuale

Kurti uron inspektoren e re të FSK-së: Pjesëmarrja e grave dhe vajzave në ushtri, tejkalon vetveten

Më: 27 maj 2022 Në ora: 21:16
Albin Kurti, Irfete Spahiu, Vjosa Osmani

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka uruar Irfete Spahiu për pozitën e Inspektores Gjenerale të FSK-së.

Kurti ka thënë se pjesëmarrja e grave dhe vajzave në ushtri, tejkalon vetveten. Sipas tij, është trasim i rrugës për çdo vajzë që ndjekë këtë drejtim në jetë me guxim dhe vendosmëri.

Postimi i plotë:

Pjesëmarrja e grave dhe vajzave në ushtri, tejkalon vetveten. Është edhe trasim i rrugës për çdo vajzë që ndjekë këtë drejtim në jetë me guxim dhe vendosmëri.

Përderisa festojmë arritjet e gjeneralmajores Irfete Spahiu, kujtojmë të gjitha ato gra të guximshme, që na mësuan sakrificën e dashurinë për vendin e popullin. Në të gjitha periudhat historike, në kohë lufte e paqeje, gratë i kanë shërbyer popullit e vendit tonë me trimëri e dashuri të pakusht. Në shumë raste kontributi i tyre është harruar, injoruar ose zvogëluar në histori.

Forca e Sigurisë së Kosovës është mishërim i së kaluarës së dhimbshme e të lavdishme, dhe i së tashmes sfiduese. Andaj brezat e sotëm dhe të ardhshëm, i nderojnë gratë dhe burrat në uniformë, edhe duke mos e harruar angazhimin e kontributin e brezave të shkuar.

E ne do të vazhdojmë të bëjmë pjesën tonë për të ardhmen, që përfshirja e grave dhe vajzave në ushtri të jetë në frymën e barazisë dhe kapaciteteve që kanë ato.

Me dekret të Presidentes Osmani, gjeneralmajorja Spahiu u emërua Inspektore gjenerale e Forcës së Sigurisë së Kosovës, pozitë që më herët e mbajti gjenerallejtënant Bashkim Jashari, tash Komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Gjeneralmajores Irfete Spahiu i dëshiroj punë të mbarë e suksese në detyrën e saj në shërbim të vendit dhe paqes.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat