Nga 1 qershori nisë publikimi i pasurisë, 14 zyrtarë nuk e deklaruan

Aktuale

Nga 1 qershori nisë publikimi i pasurisë, 14 zyrtarë nuk e deklaruan

Më: 28 maj 2022 Në ora: 10:25
AKK

Rreth 5 mijë zyrtarë të lartë publikë e kanë për obligim sipas ligjit të deklarojnë çdo vit pasurinë e tyre në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK).

Deklarimi i pasurisë bëhet nga 1 deri me 31 mars, ndërsa publikimi i pasurisë së tyre sipas ligjit bëhet brenda 60 ditëve.

Drejtor i Departamentit për Parandalimin e Korrupsionit në këtë Agjencion, Afrim Atashi,  tha se publikimi i pasurisë së zyrtarëve publik do të bëhet nga 1 qershori.

 “Prej 1 qershorit deri 5,6 varësisht qysh mbërrijmë me i përpunu do t’i bëjmë publike pasi që sipas ligjit brenda 60 dite duhet të bëhen publike”, deklaroi Atashi.

Ai tha se publikimi i pasurisë do të bëhet së pari për zyrtarët e institucioneve qendrore.

“Varësisht sipas deklarimeve do të bëhen publike, por besoj se institucioneve qendrore do t’i publikojmë në fillim”,  u shpreh ai.

Ndërsa sipas AAK-së, pasurinë për vitin 2022 nuk e kanë deklaruar, 14 zyrtarë publikë.

Atashi tha se zyrtarët të cilët nuk e kanë deklaruar pasurinë dhe që nuk kanë dhënë arsyetim do të procedohen në organet e drejtësisë.

“50 zyrtarë e kanë deklaruar pasurinë pas afatit të rregullt ligjor, ndërsa 14 prej tyre nuk e kanë deklaruar pasurinë deri më tani. Kush ka arsyetime të bazuara i mbyllim, kush nuk ka i procedojmë për gjykata dhe prokurori, ende nuk janë proceduar pasi që zyrtarët përkatës kërkojnë arsyetime shtesë, ende asnjë nuk i kemi dërguar në gjykatë, edhe ky proces besoj se do të përfundon në qershor”, tha ai.

Sipas njoftimi të AKK-së ditë më parë, zyrtarët të cilët nuk e kanë deklaruar pasurisë janë nga këto institucione, shtatë zyrtarë nga Qeveria,  gjashtë zyrtarë nga Komunat e Kosovës dhe një zyrtarë nga institucionet e pavarura.

Mosdeklarimi i pasurisë nga zyrtarët shtetërorë në Kosovë, sipas Kodit Penal, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat