Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi nuk e ka përjashtuar mundësinë që deputetët e koalicionit qeverisës të mos e bëjnë kuorumin për votimin e Projektligjit për Fondet Pensionale.
Në një deklarim për media pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Rrustemi nuk e pohoi e as nuk e mohoi mundësinë që deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Listës Guxo të sabotojnë votimin për çështjen e Trustit.
Ai tha se veprimet e deputetëve do të reflektojnë qëndrimin e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Qeverisë së Kosovës kundër tërheqjes së mjeteve nga Fondet Pensionale.
“Është çështje për të cilën e kemi dhënë disa herë një përgjigje. Përgjigja nuk ka ndryshuar”, tha ai. “Unë flas për qëndrimin e Grupit Parlamentar të subjektit politik dhe mund të përsëris që ne i kemi dhënë përgjigje kësaj çështje disa herë”.
I pyetur nëse veprimet parlamentare të shumicës qeverisëse në kuvend parashohin mundësinë e braktisjes së seancës në momentin e votimit të Projektligjin për Trustin, Rrustemi tha: “Nuk duhet të flasë për detajet e veprimeve të deputetëve në seancë, por qëndrimi dhe përgjigja janë të njëjta. Për sa kohë janë të njëjta, edhe veprimi i deputetëve të GP në seancë do të artikulohet në funksion të këtij qëndrimi”.
Ai tha se në mbledhjen e Kryesisë është dakorduar që të hënën të mbahet seanca e ardhshme e Kuvendit të Kosovës.