Osmani dhe Abazoviq përplasen për “Ballkanin e Hapur”/ Shtohen thirrjet për shmangie të destabilizimit të Ballkanit

Aktuale

Osmani dhe Abazoviq përplasen për “Ballkanin e Hapur”/ Shtohen thirrjet për shmangie të destabilizimit të Ballkanit

Më: 30 maj 2022 Në ora: 13:56 Përditësuar në ora: 15:50 më 30.05.2022
I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, Mirosllav Lajçak (majtas), presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq në Samitin e 30 majit në Mal të Zi.

Osmani dhe Abazoviq mendime të ndryshme rreth “Ballkanin të Hapur”

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, shkëmbyen replika lidhur me nismën rajonale “Ballkani i Hapur”.

Gjatë një diskutimi të panelit në Samitin e Demokracisë në Evropën Juglindore që po mbahet në Mal të Zi, Abazoviq tha më 30 maj se një pjesë e shoqërisë së Malit të Zi e kundërshton “Ballkanin e Hapur” për shkak të rolit të Serbisë në këtë nismë.

Më herët, lideri i Malit të Zi kishte deklaruar se do të merrte pjesë në takimin e radhës të “Ballkanit të Hapur” që mbahet në Ohër të Maqedonisë së Veriut, duke u përballur me kritika të shumta për këtë gjë.

“Për mendimin tim, një pjesë e shoqërisë në Mal të Zi e kundërshton [‘Ballkanin e Hapur’],vetëm sepse është kundër çdo gjëje që është Serbia. Ata nuk e kanë problem nismën, por kanë problem personal”, tha Abazoviq dhe shtoi se, sipas mendimit të tij, “problemet personale në politikë shpeshherë nuk japin mundësinë për ndonjë lloj vizioni”.

“Unë nuk po angazhohem për ‘Ballkanin e Hapur’ ose për Procesin e Berlinit apo ndonjë nismë tjetër. Unë po angazhohem për bashkëpunimin rajonal. Çdo nismë që ka për qëllim bashkëpunimin rajonal, gjithçka që mund të shfrytëzojmë për bashkëpunim, është sukses”, tha Abazoviq.

Ndaj komentit të Abazoviqit reagoi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Kosova kundërshton nismën “Ballkani i Hapur”, duke këmbëngulur në atë që Kosova duhet të përfaqësohet si e barabartë, gjegjësisht, si shtet i pavarur brenda cilitdo proces, përfshirë edhe nismën “Ballkani i Hapur”.

“Se a është dikush lider i zgjedhur në mënyrë demokratike, që beson në vlerat e sundimit të ligjit, të drejtat e njeriut dhe në demokracinë dhe a është dikush ish-ministër i propagandës së regjimit të [ish-kreut të Jugosllavisë, Slobodan] Milosheviqit, kjo duhet të ketë rëndësi. Në të kundërtën, porosia që po dërgojmë është se nuk ka rëndësi nëse je [presidenti i Ukrainës, Volodymyr] Zelensky apo [presidenti i Rusisë, Vladimir] Putin”, theksoi Osmani.

Ajo shtoi se “në qoftë se nuk e mësojmë këtë leksion nga e kaluara, nuk do të jemi në gjendje që të ecim rrugës së drejtë në kohën kur po ballafaqohemi me luftën në Ukrainë”.

Osmani theksoi se Kosova është e përkushtuar ndaj bashkëpunimit rajonal, por se mospajtimi i Kosovës për nismën e “Ballkanit të Hapur” duhet të respektohet, sepse, siç u shpreh Osmani, ky shtet ka treguar përkushtimin e tij “për të bërë gjithçka që është e nevojshme që bashkëpunimi rajonal të funksionojë”.

“Ne i kemi shtrirë dorën e bashkëpunimit vendit që bëri gjenocidin ndaj nesh, pa kërkuar ndjesë, pa parë keqardhje nga ana e tyre, pa kriminelët pas hekurave apo të nxjerrë para drejtësisë, pa pasur rreth 2,000 të zhdukur në periudhën e luftës, një vendi që fle mbi varre masive. Si mund të tregojmë më shumë sesa në këtë mënyrë të shtrijmë dorën e miqësisë dhe bashkëpunimit?”.

Abazoviq, duke iu kundërpërgjigjur Osmanit, deklaroi se askush nuk është në situatë që të zgjedhë qeveri në një vend tjetër.

“Si ka mundësi që ju, me shumë gjasa do të uleni në Procesin e Berlinit me të njëjtët njerëz, të cilët fatkeqësisht nuk e njohin Kosovën, ndërkaq Ohri [ku do të mbahet takimi i ardhshëm i ‘Ballkanit të Hapur’] është problem? Kjo është ajo që unë nuk e kuptoj”, tha Abazoviq.

Sipas Abazoviqit, qëllimi i vetëm i shtetit të tij në politikën e jashtme është anëtarësimi i plotë në BE dhe nuk kërkon alternativa për këtë qëllim, teksa tha se në takimin e “Ballkanit të Hapur”, do të marrë pjesë si mysafir.

Nisma “Ballkani i Hapur” është vazhdimësi e “mini-Shengenit” ballkanik, prezantuar në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Kur u prezantua nisma e “Ballkanit të Hapur”, asokohe Mali i Zi me Qeverinë e Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS), nuk pranoi të merrte pjesë në këtë nismë rajonale.

Megjithatë, kryeministri i ri, Abazoviq e mbështet konceptin e kësaj nisme.

Kosova dhe Bosnja e Hercegovina nuk e mbështesin këtë iniciativë./REL

Escobar shpreson se Serbia do t’iu bashkohet sanksioneve kundër Rusisë

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se shpreson se Serbia do t’i bashkohet shteteve të tjera të rajonit dhe të vendosë sanksione ndaj Rusisë, pas formimit të Qeverisë së re.

“Pothuajse të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor kanë rënë dakord që Rusia të paguajë çmim për këtë [pushtimin e Ukrainës] përmes sanksioneve, duke mbështetur Ukrainën dhe popullin e saj. Shpresoj që Serbia do t’i bashkohet këtij grupi dhe do të harmonizojë sanksionet kur të formohet Qeveria”, tha Escobar më 30 maj, gjatë një adresimi në Samitin e Demokracisë së Evropës Juglindore, që po mbahet në Mal të Zi dhe që ka temën: “Lufta në Evropë: Ndikimi në Ballkan”.

Serbia është i vetmi shtet në Evropë që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, pavarësisht se ka votuar për rezolutat e Kombeve të Bashkuara dhe deklarata të Bashkimit Evropian që dënojnë pushtimin rus të Ukrainës.

Beogradi zyrtar arsyetohet se po mban një qëndrim të tillë për të “mbrojtur interesat jetike të vendit”.

Escobar po ashtu përshëndeti qëndrimin e BE-së dhe NATO-s, që riafirmuan “politikën e dyerve të hapura”.

“Unë mendoj se është e rëndësishme që BE-ja të ritheksojë politikën e saj të dyerve të hapura. Dhe kjo politikë nuk vlen vetëm për Ukrainën dhe shtetet e tjera në rrezik, por gjithashtu na kujton se gjashtë vende të tjera janë më përpara Ukrainës”, theksoi Escobar.

Sipas të dërguarit të SHBA-së, shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë bërë “përparim të madh” dhe “reforma mbresëlënëse” duke shtuar se shpreson që Evropa të zbatojë ato që deklaron kur bëhet fjalë për integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor.

“Mali i Zi ka shumë të ngjarë që të jetë anëtari i ardhshëm i BE-së”, tha Escobar, duke shtuar se ai është i sigurt që kjo mund të ndodhë.

Escobar theksoi se është “shumë optimist për perspektivat e shteteve të Ballkanit Perëndimor që të bëhen anëtare të plota të BE-së”, duke thënë se SHBA-ja vazhdon mbështetjen për këtë qëllim.

“Jam shumë entuziast për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor sepse kjo krizë na tregon se politika e SHBA-së: mbështetja, angazhimi dhe promovimi i Ballkanit Perëndimor, po jep rezultate”, tha Escobar.

Ai theksoi se sfida më e madhe për rrugën e shteteve të Ballkanit drejt integrimeve euroatlantike është korrupsioni, që sipas tij, është i rrënjosur thellë në vendet e rajonit që nga vitet ’90.

“Është një luftë dhe këto vende kanë nevojë për mbështetjen e SHBA-së dhe Evropës dhe ne do të vazhdojmë ta mbështesim Malin e Zi dhe pjesën tjetër të rajonit”, u shpreh Escobar.

Escobar iu drejtua Samitit të Demorkacisë së Evropës Juglindore përmes video-lidhjes. Në këtë samit, marrin pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, Mirosllav Lajçak, dhe i dërguari i Britanisë së Madhe për Ballkan Perëndimor, Stuart Peach./REL

Osmani: Kosova do të vazhdojë të luajë rolin e saj në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në rajon dhe më gjerë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë pjesë në Samitin e Demokracisë në Evropën Juglindore që është mbajtur në Malin e Zi.

Osmani tha se në këtë samit u diskutua për ndikimin e agresionit rus në Ukrainë dhe kërcënimin e drejtpërdrejtë në arkitekturën e sigurisë në Evropë, sidomos në Ballkanin Perëndimor.

“Në Samitin e Demokracisë në Evropën Juglindore të mbajtur në Mal të Zi, krahas udhëheqësve rajonalë e ndërkombëtar, diskutuam mbi ndikimin e agresionit rus në Ukrainë dhe kërcënimin e drejtpërdrejt në arkitekturën e sigurisë në kontinentin tonë e në Ballkanin Perëndimor në veçanti”, ka shkruar Osmani në facebook.

Sipas saj, Kosova do të vazhdojë të luajë rolin e saj në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në rajon dhe më gjerë.

“Tendenca për ta ridefinuar të ardhmen e Evropës dhe për të shkelur vlerat mbi të cilat u themelua ajo, mund të ndalohet vetëm kur aleatët demokratikë dhe paqedashës qëndrojnë të bashkuar kundër tiranëve keqdashës. Republika e Kosovës do të vazhdojë të luajë rolin e saj, siç ka bërë gjithmonë, në mbrojtjen, avancimin dhe ruajtjen e paqes dhe sigurisë në rajon dhe më gjerë”.

Osmani në Mal të Zi: BE-ja ti dërgoj sinjal të qartë dhe të fortë Serbisë për bashkëpunimin e saj me Rusinë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani po merr pjesë në Samitin e Demokracisë me temën “Lufta në Evropë: Ndikimi në Ballkan”, që po mbahet në Mal të Zi.

Gjatë fjalës së saj Osmani përsëriti solidaritetin e plotë me popullin e Ukrainës dhe tha se ekziston frika e destabilizimit të rajonit të Ballkanit Perëndimor.

“Është i nevojshëm veprimi i përbashkët në ditët dhe vitet në vijim. Është e rëndësishme që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të respektojnë sanksionet e Bashkimit Evropian dhe veprimet e tjera, të cilat i ndërmarrin partnerët tanë. Jo të gjitha vendet në rajonin tonë na janë bashkuar”, ka thënë Osmani.

Osmani ka kërkuar nga BE-ja që të dërgojnë sinjal të qartë për ata që nuk u janë bashkuar sanksioneve ndaj Rusisë, duke folur këtu për Serbinë.

“Kosova dhe Mali i Zi dhe disa vende tjera të Ballkanit kanë qenë ndër të parat që i janë bashkuar këtyre sanksioneve dhe kanë treguar qartë pozicionin e tyre, fatkeqësisht jo të gjitha në rajonin tonë. Dua të shfrytëzoj këtë mundësi që ti bëjë thirrje BE-së që të dërgojnë sinjal të qartë dhe të fortë për vendet që nuk iu bashkuan sanksioneve ndaj Rusisë dhe fatkeqësisht po i ndihmojnë Rusisë dhe po i ofrojnë oksigjen luftës së Rusisë në Ukrainë”, ka thënë Osmani.

Duke folur për çështjen e Demarkacionit me Malin e Zi, Osmani tha se deri tani janë ratifikuar tri marrëveshje për këtë çështje, dhe se kjo nuk u takon më politikanëve .

“Politikanët nuk do të flasin më, ekspertët do të krijojnë një komision të përbashkët për të vendosur kufirin. Tashmë i takon ekspertëve që të vazhdojnë punën, jo politikanët që e përfunduan punën duke ratifikuar dokumentet”, tha Osmani.

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, së fundi ka thënë se për Malin e Zi ka përfunduar demarkacioni me Kosovën dhe se nuk sheh mundësi për rishikimin e tij.

Osmani vlerëson se demarkacioni me Malin e Zi nuk është më çështje e politikanëve

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se kontesti mes Kosovës e Malit të Zi në lidhje me vijën kufitare, nuk është më çështje e politikanëve, por e ekspertëve.

Në fjalimin e saj në Samitin e Demokracisë të Evropës Juglindore me temën “Lufta në Evropë: Ndikimi në Ballkan”, që ka nisur të hënën në Mal të Zi, Osmani tha se politikanët kanë thënë fjalën e tyre, duke iu referuar kështu votimeve të marrëveshjes së demarkacionit në kuvendet respektive.

Politikanët nuk do të flasin më, ekspertët do të krijojnë një komision të përbashkët për të vendosur kufirin. Tashmë u takon ekspertëve që të vazhdojnë punën, jo politikanëve që e përfunduan punën duke ratifikuar dokumentet”, tha Osmani, përcjell portali malazias “CDM”

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, së fundi ka thënë se për Malin e Zi ka përfunduar demarkacioni me Kosovën dhe se nuk sheh mundësi për rishikimin e tij.

Në fakt, kjo çështje ka shkaktuar përplasje të mëdha në Kuvendin e Kosovës në kohën kur ishte ratifikuar. Sipas partive të atëhershme opozitare, Kosova ia ka falur Malit të Zi mbi 8000 hektarë tokë.

Çështja e ratifikimit të marrëveshjes për demarkim të kufirit ishte lidhur edhe me liberalizim të vizave, por marrëveshja u votua e liberalizimi nuk ka ndodhur ende.

Për të ulur tensionet e atëhershme, ishte rënë dakord mes dy qeverive që të krijohen komisione për të rishikuar vijën kufitare “nëse ka gabime”.

Në samitin e organizuar nga Instituti Ndërkombëtar Republikan i SHBA-së, po marrin pjesë edhe i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i dërguari i Britanisë së madhe për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach e ai i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Po ashtu, pjesëmarrës janë liderë rajonalë, si kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ministrja për Çështje Evropiane e Malit të Zi, Jovana Maroviq dhe zv.kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Bojan Marichikj.

Samiti në Mal të Zi: Shtohen thirrjet për shmangie të destabilizimit të Ballkanit

Pjesëmarrësit e Samitit të Demokracisë së Evropës Juglindore, që po mbahet në Mal të Zi, kanë dënuar ashpër pushtimin rus në Ukrainë, dhe kanë thënë se nevojitet kujdes për të shmangur destabilizimin e Ballkanit Perëndimor.

Në Samitin e organizuar me temën “Lufta në Evropë: Ndikimi në Ballkan” marrin pjesë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, Mirosllav Lajçak, i dërguari i Britanisë së Madhe për Ballkan Perëndimor, Stuart Peach dhe më vonë pritet që këtij samiti t’i adresohet i dërguari amerikan për këtë rajon, Gabriel Escobar.

I dërguari britanik, Peach, vlerësoi ndër të tjera se pushtimi rus në Ukrainë ishte një akt barbar i paprovokuar dhe tha se Mbretëria e Bashkuar qëndron krah Ballkanit Perëndimor dhe është e gatshme të reagojë në rast të pasojave të luftës.

Sipas tij, Rusia ka synime destruktive.

Ne duhet të jemi të lëvizshëm dhe të gatshëm për të reaguar. Askush nuk mund të jetë i qetë në rajon (Ballkanin Perëndimor) kur bëhet fjalë për pasojat e agresionit rus kundër Ukrainës dhe as t’i injorojë ato. Ne jemi të ndjeshëm ndaj faktit se lufta në Ukrainë u parapri nga luftëra tjera në Evropë”, ka thënë Peach, duke shtuar se siguria kolektive është kyçe.

“Si aleatë të NATO-s, ne jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e sigurisë kolektive. Ne duhet të vazhdojmë të ndërtojmë kapacitetet e vendeve të rajonit, përmes sundimit të ligjit dhe politikave të forta dhe në këtë mënyrë, të ndërtojmë qëndrueshmërinë në përballje me situatën në të cilën ndodhemi”.

Duke iu përgjigjur pyetjes nëse është realiste të pritet që, pas bisedimeve dhe marrëveshjes së 29 majit mes presidentëve të Rusisë dhe Serbisë, Vladimir Putin dhe Aleksandar Vuçiq, Serbia të harmonizojë politikën e saj të jashtme me BE-në, përfaqësuesi i posaçëm i BE-së, Miroslav Lajçak ka thënë:

Bashkimi Evropian e sheh rajonin përmes pranimit dhe harmonizimit me normat dhe vlerat evropiane, duke përfshirë politikën e jashtme dhe sanksionet. Kjo është ajo që ne presim nga të gjitha shtetet anëtare. Çdo vend në rajon e di se cilat janë pritjet lidhur me këtë pjesë. Veprimet konkrete do t’i marrim parasysh kur të sjellim vendimin për të ardhmen e këtij rajoni dhe të secilit vend të rajonit. Ne gjithashtu do të marrim parasysh veprime konkrete kur të vendosim për të ardhmen e këtij rajoni dhe të secilës prej vendeve të rajonit”./REL

Lajmin  e plotë mund ta lexoni këtu.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat