Haradinajt &co nuk i pengon betimi okupues i Vuçiqit për Kosovën / E pengon denoncimi shtetëror i Serbisë tek Perëndimi

Aktuale

Haradinajt &co nuk i pengon betimi okupues i Vuçiqit për Kosovën / E pengon denoncimi shtetëror i Serbisë tek Perëndimi

Nga: Idriz Morina Më: 31 maj 2022 Në ora: 18:31
Foto ilustrim, Haradinaj dhe Vuçiqi

Si është e mundshme që shumë shqiptarë nuk e kanë fare problem, të gjejnë pretekst për të goditur këdo, pavarësisht se çfarë mesazhi japin me reagimet e tyre, nëse ai mund të jetë në favor të Serbisë apo të perceptohet ashtu. Për ta mjafton që ta godasin atë që e kanë marrë në shenjë!

Një huqje të tillë të rëndë politike e bëri sot Ramush Haradinaj. Huqje, sepse nuk duam të besojmë se ai është në shërbim të shtetit serb.

Ramush Haradinaj në përpjekje për të goditur Vjosën, harron se çfarë mesazhe përcillte Presidentja.

Por, më e keqja Ramush Haradinaj, as nuk denjoi t’i reagonte Vuçiqit për betimin e tij pas rizgjedhjes President i Serbisë.

Fati i Kosovës nuk është në tavolina të ndarjes

Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, dhe jo një shtet, fati i copëtimit të të cilit, është në tavolina të ndarjes.

Është duke i ngatërruar kohët dhe personalitetet shtetërore Ramushi. Nuk është duke e kuptuar se është në pritje të kotë iluzive se Hashim Thaçi apo forca të ngjashme mund të vijnë në krye të shtetit, në mënyrë që fati i Kosovës të ripërcaktohet.

Reagimet shtetërore ndaj shteteve apo institucioneve të tjera, si deklarata e Presidentes, janë krejtësisht të karakterit tjetër, në këtë rast sovranist, që denoncon politikën e jashtme të Serbisë, që është shëmbëllim dhe në kohezion me atë ruse.

Image
Presidentja Osmani edhe në SHBA e ka diskutuar raportin Serbi-Rusi

Pra, me këtë goditje, presidentja Osmani, po i bën thirrje, ashtu si për koincidencë që ne i kemi bërë në vazhdimësi, Perëndimit, që ta ndëshkojë Serbinë për politikat e saja favorizuese dhe përkëdhelëse për të, ndërsa që trysninë e orienton ndaj Kosovës për t’i bërë favore.

Madje ne kemi shkruar që në krizën e Ukrainës, para fillimit të pushtimit rus, se Kosova duhet të tërhiqet plotësisht nga bisedimet me Serbinë, për shkak të qasjes së vazhdueshme të saj dhe të hapur, në bashkëpunim të plotë me Rusinë. Deri tek përpjekjet për realizimin e marrëveshjeve të fshehta, që kishin synim aneksimin e veriut të Kosovës. Fati ynë ishte, që deri më tash Ukraina dhe Perëndimi, e thyen Rusinë. Një fitore eventuale e Rusisë, sipas parashikimeve putiniste, mund të kishte qenë fatal për Kosovën!

Prandaj, kritikat e institucioneve duhet parë edhe në relacion me kontekstin e mundshëm apo të parapërgatitur nga aleanca ruso-serbe!

Pra, goditja diplomatike që synon Presidentja është gjetja e mbështetjes ndërkombëtare për sanksionimin e Serbisë, për shkak të bashkëpunimit të hapur me Rusinë, dhe po ashtu, dhe së dyti, krijimi i avantazhit të Kosovës në bisedimet e drejtpërdrejta me Serbinë në Bruksel.

Pra, mesazhi është i qartë Perëndimi ta shpërblejë Kosovën, dhe ta ndëshkojë Serbinë. Kosova është partnere e njëmendët e Perëndimit, ndërsa Serbia e Rusisë!

“Presidentja e vajton marrëveshjen Vuçiq-Putin për gazin rus e heshtë JO-në e Kosovës (e thënë nga KM Kurti) për gazin amerikan?!? Ec e bjeri në fije!”, ka shkruar Haradinaj.

Gazi amerikan, nuk është çështje ruse, as serbe

Gazi amerikan, nuk është çështje ruse, as serbe. Nëse Ramush Haradinaj ka informacione, që Qeveria e Kosovës e ka bërë atë refuzim për shkak të interesave politike apo të ndikimit, qoftë rus, qoftë serb, këto jo vetëm se duhet t’i bëjë publike, por edhe t’i shtrojë në Kuvend, dhe veçmas tek institucionet hetimore.

Image
Edi Rama me 'shefin' e tij, Aleksandër Vuçiqin

Po ashtu mund të kërkojë edhe një hetim parlamentar. Por, për Ramushin dhe politikanët si ai, më lehtë është akuzosh, të godasësh si të mundesh, se sa që ta bësh punën seriozisht.

Në fakt, ai vetëm seriozisht dhe profesionalisht nuk është sjellur shumë herë, në shumë raste. Rasti më tipik, është kur ai u bë bartës i kauzës kundër demarkacioni dhe në fund, e pranoi të njëjtën marrëveshje, pas një premtimi të diskutueshëm, Thaçi-Gjukanoviç, se mund të bisedojnë për të korrigjuar gabimet eventuale.

Goditja e Vjosa Osmanit, është shembull diplomatik dhe model që duhet të ndiqet në situata të tilla, veçmas nga Kosova.

Presidentja Vjosa Osmani duhet të reagojë, e gjithsesi edhe Qeveria, por edhe opozita ndaj deklaratës së betimit të Vuçiqit.

“Betohem se do t’i përkushtoj gjithë forcat e mia për ruajtjen e sovranitetit dhe të gjithë territorit të Republikës së Serbisë, përfshirë Kosovën dhe Metohinë si pjesë përbërëse të saj…”, ka deklaruar me rastin e betimit pas rizgjedhjes presidenti i Serbisë, Vuçiq.

Opozita në vend se të jetë shembull i ndjekjes së politikave më ortodokse shtetërore, ajo po e bën të kundërtën.

Para se ta bëjnë këtë gjë institucionet në Kosovës dhe partitë opozitare, në Shqipëri reagoi fuqishëm, Sali Berisha, ish-president dhe ish-kryeministër.

Ai e ka goditur Serbinë duke e kualifikuar, në fakt emëruar ashtu si është e sillet Serbia në Ballkan, si një “Rusi e vogël”, dhe Vuçiqi, si një “Putin i vogël”, por që kurdo që ta provojë një përpjekje për aneksim të veriut të Kosovës, “në çdo rast shqiptarët do të reagojnë si komb i vetëm dhe se çdo aventurë tjetër e tij do të ndëshkohet në mënyrë shembullore”.

Berisha po ashtu e ka goditur saktë edhe kryeministrin Rama, për heshtjen e një vasali, ndaj “klithmave luftënxitëse të serbomadhit, Aleksander Vuçiq”.

Fundi i politikave mazohiste

Fundi i Hashim Thaçit, ishte fundi i politikave mazohiste, në fakt sadomazohiste, pasi ato ishin mazohiste në raport me Serbinë dhe ndërkombëtarët, ndërsa sadiste me kundërshtarët politik (vrasjet politike).

Prandaj, diplomacia e Kosovës, por edhe ajo e Shqipërisë do të duhej të ishte e fokusuar në raport me Serbinë, pikërisht në goditjen dhe evidentimin e vazhdueshëm të qëndrimeve proruse të Serbisë, duke dërguar edhe nota proteste tek çdo shtet perëndimor, dhe duke kërkuar që ajo të mos tolerohet ashtu.

Derisa në Shqipëri, nuk ka kush ta bëjë, siç është sqaruar nga ne dhe shumë autorë, pasi Edi Rama është në shërbim të Serbisë dhe ortodoksisë, i mbetet Kosovës njëherë përnjëherë ta bëjë vetë këtë.

Por, fatkeqësisht mediat e krijuara nga rrymat politike-sadomazohiste, siç e evidentoi edhe ambasadori Hovenier ato janë përqendruar në “pasaktësi dhe mashtrim” (edhe në raport me SHBA).

Ato në vend se të përqendrohen në luftën diplomatike kundër Serbisë, paqtimin e Kosovës, sundimin e rendit dhe të ligjit, ndëshkimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, dhe mbajtjen e qëndrimit kritik dhe korrekt ndaj institucioneve, në mënyrë që të mos komprometohen, dhe të komprometuarit që janë aty të largohen, si dhe ata që janë jashtë tyre, të mos kenë qasje!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat