U përmend plani për asociacion – deklarohet kryeministri, tregon si qëndron e vërteta

Aktuale

U përmend plani për asociacion – deklarohet kryeministri, tregon si qëndron e vërteta

Më: 1 qershor 2022 Në ora: 12:13 Përditësuar në ora: 13:47 më 01.06.2022
Kryeministri, Albin Kurti

​Kurti mohon të ketë plan për asociacionin

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se nuk është në dijeni për ndonjë plan për asociacion të komunave me shumicë serbe.

Kështu është shprehur ai, pas deklaratës së raportueses në Parlament Evropian, Viola von Cramon se Qeveria e Kosovës ka propozim për këtë çështje.

"Kosova e ka asociacionin e komunave. Mua si kryeministër mjaft po më del ky asociacion. Unë nuk jam në dijeni për ndonjë plan për asociacion të komunave me shumicë serbe. Kushtetuta nuk toleron asociacion mbi baza etnike. Dhe mos të harrojmë që po pyete qytetarët e Kosovës, askush nuk e ka prioritet një asociacion të tillë, duan zhvillim, arsim", ka thënë ai.

Kurti ka mohuar se ka marrë ftesë për takim nga kryediplomati evropian Josep Borrell.

"Nuk kam marrë ndonjë ftesë nga Josep Borrell. Kur kam ndonjë ftesë të tillë do ta trajtoj me përkushtimin më të madh. Mund ta ketë menduar, por në postën e kryeministri nuk ka ardhur ndonjë ftesë", ka deklaruar ai.

Besim Jashari caktohet zëvendësdrejtor i AShNA-s

Besim Jashari është emëruar zëvendësdrejtor i Agjencisë së Shërbimit të Navigacionit Ajror.

Vendimi është miratuar sot në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës.

Sipas zëvendësministres së Infrastrukturës, Linda Çavdarbasha, kandidati Jashari i ka kaluar me sukses procedurat e rekrutimit.

Kandidati i përzgjedhur i ka kaluar me sukses të lartë procedurat e kërkuara për emërimin e zëvendësdrejtorit për AShNA”, tha zëvendësministrja e Infratrukturës.

Kjo pozitë është e lirë që nga 1 dhjetori i vitit 2021, kur Qeveria e Kosovës shkarkoi ish-zëvendësdrejtorin Shpëtim Selmanaj.

Kurti akuzon opozitën se po manipulon me çështjen e Trustit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë nuk duhet të lejohet tërheqja nga Trusti Pensional. Ai ka thënë se nga mbi 630 mijë llogari të hapura në Trustin Pensional të Kosovës, 92 për qind e tyre kanë të akumuluara më pak se 10 mijë euro.

Sipas tij, gjysma e kursimeve janë të koncentruara te më pak se 8 për qind e bartësve të llogarive dhe 1.2 për qind e individëve që kanë llogari në Trust kanë mesatarisht 30 herë më shumë se 80 për qind e qytetarëve që kanë të hapura llogari.

“Janë po këta persona që e kanë sjellë në Kuvend dhe po e keqpërdorin rrjetin medial për ta manipuluar opiononin”, ka thënë ai.

Kurti ka thënë se në opinion po ngjallen panik të paqenë.

Sipas tij, nisma për mundësimin e tërheqjes së parave të Trustit, nuk është e rastësishme që ka ardhur nga një deputet i opozitës, i cili sipas tij, në një medium ka thënë se po të donte FMN-ja do të jepte mjete të mjaftueshme në mënyrë që të shpërndanin për qytetarët në mënyrë që të mos preken paratë e trustit. Ai ka thënë se ky është diletantizëm i jashtëzakonshëm, duke shtuar se pasojat nuk mund t’i bartin ata.

Ai ka thënë se fondi nuk mund të zbrazet.

Kurti ka thënë se objektivi është i njëjtë dhe të gjitha këto subjekte e dinë se sa e rrezikshme është kjo iniciativë.

Sipas tij, nismëtari i idesë ka deklaruar se gëzojnë që edhe përkrahjen e Listës Serbe.

Ne nuk kemi se si e mbështesim një nismë të tillë dhe kur e kemi kundërshtuar herën e parë tërheqjen e Trustit e kemi thënë se jemi kundër se e dimë që hapet dera për më shumë dhe ja ku jemi sot”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se rasti i shtrenjtimit të energjisë kanë vendosur që koston shtesë të importit të vlerësuar 128 milionë euro të mbulohet kryesisht përmes subvencionimit të amvisërisë.

Ai ka thënë se rritja e çmimit të mallrave dhe transportit ka ndikuar që të marrin vendim për lehtësimin për një pjesë të popullsisë.

Sipas tij, pensionistët gjithashtu janë goditur nga rritja e çmimeve, prandaj kanë vendosur t’i mbështesin me nga 100 euro.

“Edhe fëmijët e vendit po ndjejnë pasojat e rritjes së çmimeve, por edhe atyre nuk i ndihmojmë duke rrënuar Trustin Pensional. Atyre ju ndihmojnë shtesat universale që u siguron atyre deri në 240 euro në vit. Edhe lehonat janë të goditura por nuk ndihmohen nga rrënimi i Trustit Pensional, por ata janë ndihmuar. Edhe fermerët janë prekur nga kjo krizë, por as ata nuk ndihmohen nga trusti. Edhe të rinjtë e vendit janë goditur nga kriza por ata po ndihmohen përmes bursave, e tash edhe me nga 100 eurot”, ka thënë ai.

Sipas tij, as punëtorët e angazhuar në ekonominë informale nuk ndihmohen përmes rrënimit të Trustit Pensional.

Qeveria ndan 50 mijë euro ndihmë për Luginën e Preshevës

Qeveria e Kosovës sot ka ndarë 50 mijë euro ndihmë për shqiptarët e Luginës së Preshevës.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se kjo ishte një kërkesë e Këshillit Nacional Shqiptar dhe përfaqësuesve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.

“Me qëllim të përkrahjes së kauzës politike të shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit dhe në bazë të kërkesës së parashtruar propozohet të ndahet mjetet në vlerë prej 50 mijë euro në mbështetje të aktiviteteve lobuese të Këshillit Kombëtar Shqiptar dhe përfaqësuesve shqiptarë atje. Mjetet propozohen të ndahen nga mjetet e buxhetuara te Zyra e Kryeministrit në programin “Përkrahje për Luginën e Preshevës”, ka thënë Kurti në mbledhjen e Qeverisë.

Ai u zotua se Qeveria e Kosovës do të jetë në vazhdimësi në mbështetje të bashkëkombësve dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre.

Qeveria bën hapin e parë drejt Fondit Sovran

Qeveria e Kosovës të mërkurën ka bërë hapin e parë drejt formimit të Fondit Sovran. Në mbledhjen e 81-të të Qeverisë Kurti është miratuar drafti i koncept-dokumentit për themelimin e këtij instituti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në prezantimin e mekanizmit, ka thënë se me të do të bëhet transformim ekonomik e se do të ketë riorientim të investimeve dhe rritje të punësimit.

Themelimi i Fondit Sovran ka qenë ndër premtimet kryesore të Vetëvendosjes në fushatë.

Me këtë premtim synohet shuarja e Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Sipas premtimeve, ky fond do t’i marrë nën pronësi asetet strategjike të Kosovës dhe do ta ketë përgjegjësinë për investimet në rritjen e vlerës së tyre.

Qeveria emëron Bordin e ri të Ujësjellësit “Prishtina”

Qeveria e Kosovës ka emëruar sot Bordin e ri Mbikëqyrës të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina” Sh.A.

Të emëruarit në bord, sipas vendimit të miratuar sot nga Qeveria e Kosovës, janë: Teuta Ukshini-Aliu, kryesuese dhe Albana Berisha, Fadil Berisha dhe Saxhide Mustafa, anëtarë.

Mandati i tyre zgjat tre vjet, tha kryeministri Albin Kurti derisa propozoi vendimin për emërimin e bordit.

Në mbledhjen e sotme të ekzekutivit, është caktuar edhe përbërja e bordit të ri të Ujësjellësit “Mitrovica” Sh.A..

​Qeveria vendos të themelojë Komisionin për memorialin për fëmijët e vrarë gjatë luftës

Në Ditën Botërore të Fëmijëve, kabineti qeveritar ka vendosur për themelimin e Komisionit Ministror për memorialin për fëmijët e vrarë gjatë luftës 1998-1999 në Kosovë.

Kryeministri Albin Kurti theksoi se ky komision do të udhëhiqet nga ai.

"Në ditën ndërkombëtare të fëmijëve kujtojmë fëmijët e vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë. Propozoj të themelohet komisioni ministror. Ky komision do të kryesohet nga unë. Ministria e Drejtësisë do të jetë anëtare, ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor anëtar, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve do të jetë anëtar", ka deklaruar ai.

Në mbledhjen e sotme është miratuar edhe koncept dokumenti për themelimin e Fondit Sovran të Republikës së Kosovës. Sipas kryeministrit Albon Kurti, ky fond do të ketë rol mbikëqyrës të aseteve të Kosovës

​Kurti për tërheqjen nga Trusti: Opozita po manipulon me konceptin e varfërisë

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se opozita po manipulon me konceptin e varfërisë. Sipas tij, iniciativa e tërheqjes së mjeteve të 30 për qind është e rrezikshme.

Ai në fjalën hyrëse para mbledhjes së Qeverisë tha buxheti i Kosovës është i qytetarëve, porse nuk mund të harxhohet për të mbuluar krizën e sotme.

"Ne nuk kemi pse e mbështesim një nismë të tillë. E kemi thënë shumë qartë, jemi kundër sepse hapet dera për më shumë dhe pastaj të ngelim pa asgjë. Ajo pakicë që ka shumë, përfiton pak për mos të thënë aspak. E ritheksoj se Qeveria e Kosovës nuk e mbështet një nismë të tillë", ka deklaruar ai.

Shefi i ekzekutivit, Albin Kurti deklaroi se pensionet nuk janë për tani por për pleqëri.

"Nga mbi 630 mijë llogari që janë të hapura në trustin pensional, 90 për qind e tyre i kanë më pak se 10 mijë euro të akumuluara. Janë këta që po keqpërdorin për përmasat e krizës. Ata po manipulojnë me konceptin e varfërisë ku nuk bëjnë pjesë vet. Buxheti i Kosovës pas gjashtë vjetësh është i qytetarëve, por nuk mund ta harxhojmë sot për të mbuluar krizën e sotme. Nëse e rrënojmë pleqërinë për një problem afatshkurtër në situatën ku ngjallën panik të paqenë... Nisma e mundësimit ka ardhur nga një deputet i opozitës, i cili në një prononcim medial ka thënë se po të donte FMN-ja do të na jepte mjete t'i shpërndanim dhe nuk do i preknim mjetet e Fondit. Ja se kush po merret me financa", ka thënë ai.

Qeveria flet për buxhetin e vendit flet per TRUST-in

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se qeveria që ai udhëheq ka ndarë mbi 6 milionë euro për përfituesit e skemave sociale në vend.

Këtë e bëri të ditur vet Kurti në mbledhjen e 81-të të qeverisë, ku tha se kjo kategori, ndonëse është goditur nga rritja e çmimeve, problemi i tyre nuk zgjidhet duke e rrënuar sistemin pensional të vendit, duke iu referuar mundësisë për tërheqje të mjeteve nga TRUST-i.

Andaj, kemi vendosur që atyre t’ua dyfishojmë ndihmat e ofruara nga buxheti aktual për dy muaj rresht dhe për këtë kemi ndarë mbi 6 milionë euro, pasi që të njëjtet përfitme i kemi rritur për 30% për periudhë të pacaktuar”, është shprehur Kurti.

Tutje, ai tha se në ndihmë u kanë dalur edhe pensionistëve, ku tha se këtë kategori do ta mbështesin në shumën prej 100 euro.

Pensionistët janë po ashtu janë goditur nga lëvizjet e çmimeve. Ne mendojmë se situata e afërsisht 400 mijë përfituesve këtu nuk adresohet përmes rrënimit të sistemit pensional të vendit, meqë këta individë janë të pensionuar, andaj përgjigjen e kemi gjetur në mbështetjen e përkohshme prej 100 euro për secilin prej tyre, pasi që tashmë i kemi rritur pensionet bazë për 11%, duke u siguruar që asnjë pension të mos jetë nën 100 euro”, është shprehur Kurti.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat