Trusti/ Xhevdet Pozhari: Albin Kurti fajtorin kryesor e ka brenda në kabinet

Aktuale

Trusti/ Xhevdet Pozhari: Albin Kurti fajtorin kryesor e ka brenda në kabinet

Më: 1 qershor 2022 Në ora: 14:42
Xhevdet Pozhari

Analisti politik, Xhevdet Pozhari, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka fajtorin brenda kabinetit të tij për mos reagimin në kohë ndaj krizave.

Përmes një postimi në Facebook, Pozhari ka shkruar se nuk është faji i opozitës pse e shfrytëzon krizën aktuale për të kërkuar tërheqjen e 30 për qind të Trustit.

“Kryeministrit dikush duhet t'i thotë se nuk është faji i opozitës që e shfrytëzon krizën dhe kërkon mundësinë e tërheqjes së Trustit.

Fajtorin kryesor e ka brenda në kabinet që nuk ka paraparë alternativë për të vepruar në kohë krizash.

Së paku, 100 euro shtesë për pensionistë do të duhej të ishin të çdomuajshme. E, jo me u shpërnda veç një herë dhe me mendu se i bëtë qirak. E, me ato 10 euro për lehona, veç një kuti pampersa mundet mu ble.

Pensionistët ia kanë dhënë jetën këtij shteti. Jo veç kontributet që reduktohen padrejtësisht në vlerë monetare. Në perëndimin e jetës së tyre, ata duan të ndjejnë se kanë shtet. Se vazhdimësia e tyre është në duar të sigurta.

Përndryshe prindërit tanë derisa jemi ne fëmijët e tyre bash hiq nuk kanë nevojë për lëmosha nga Qeveria. As që i lëmë në mëshirën e cilitdo pushtetar. Por, kjo është më shumë test për ju nëse ia vlen që fëmijëve tanë t'iu themi se këtu ka shpresë”, ka shkruar ai.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, ka iniciuar kërkesën për tërheqjen e një pjesë të kontributeve të trustit pensional.

Kjo për shkak të shtrenjtimit të çmimeve për produktet esenciale.

Por, subjekti politik në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, pretendon që në planin afatgjatë ekonomik tërheqja e trustit rrezikon të ardhmen e qytetarëve. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat