Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se me vendim të Prokurorit është ndaluar për 48 orë personi me inicialet R.M.
Ai sipas prokurorisë dyshohet se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”.
“I njëjti dyshohet se ka ndërmjetësuar në marrjen e ryshfetit për zyrtarët e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH-së), së bashku me Z.G., dhe A.X., për lëshimin e pëlqimeve mjedisore dhe ujore, duke marr reth shtatëdhjetë (70.000) mijë euro nga investitorët në vikend zonën e Brezovicës”, njofton Prokuroria.
Tutje bëhet e ditur se R.M. gjatë aksionit “Brezovica” të datës 26 maj nuk është gjetur në shtëpinë e tij dhe ai është arrestuar sot në vendkalimin kufitar në Vërmicë.
“Po ashtu, vlen të theksohet se i njëjti R.M., gjatë zbatimit të urdhër kontrollit për kontrollin e shtëpive dhe objekteve përcjellëse, në aksionin “Brezovica” të datës 26 Maj 2022. ku, me ç’rast janë kontrolluar dhe bastisur gjashtë (6) lokacione të ndryshme, i njëjti nuk është gjetur në shtëpinë e tij, ndërsa, sot është arrestuar në vendkalimin kufitar në Vërmicë. Prokuroria Themelore në Ferizaj, ndaj të njëjtit do të paraqesë edhe kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Ferizaj”, përfundon njoftimi.