Prokuroria Themelore në Ferizaj ka arrestuar sot të dyshuarin me incialet R.M, në pikën kufitare të Vermicës, për rastin ‘Brezovica’.
Gazeta ka mësuar brenda burimeve të sigurta të policisë se i arrestuari është Refki Mecini.
Sipas Prokurorisë, Mecini dyshohet se ka kryer veprën penale “ Marrja e ryshfetit” dhe “Ushtrimi i ndikimit”.
Ai dyshohet se ka marrë ryshfet rreth 70.000 mijë euro nga investitorët në vikend zonën e Brezovicës.
Mecini se së bashku me Zijadin Gecin dhe Arbër Xeni dyshohet se kanë ndihmuar zyrtarët e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor për të marrë para ryshfet për të lëshuar më pas pëlqime mjedisore në vikend zonën e Brezovicës.
“I njëjti dyshohet se ka ndërmjetësuar në marrjen e ryshfetit për zyrtarët e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH-së), së bashku me Z.G., dhe A.X., për lëshimin e pëlqimeve mjedisore dhe ujore, duke marr reth shtatëdhjetë (70.000) mijë euro nga investitorët në vikend zonën e Brezovicës. Po ashtu, vlen të theksohet se i njëjti R.M., gjatë zbatimit të urdhër kontrollit për kontrollin e shtëpive dhe objekteve përcjellëse, në aksionin “Brezovica” të datës 26 Maj 2022. ku, me ç’rast janë kontrolluar dhe bastisur gjashtë (6) lokacione të ndryshme, i njëjti nuk është gjetur në shtëpinë e tij, ndërsa, sot, është arrestuar në vendkalimin kufitar në Vërmicë”, thuhet në njoftimin e PTHF.