Kryeministri Albin Kurti ka pritur në takim drejtorin e Institutit Ndërkombëtar Republikan, Paul McCarthy.
Sipas komunikatës zyrtare të lëshuar nga zyra e Kurtit, në këtë takim është diskutuar për politikat programore të partive politike dhe kryeministri citohet të ketë thënë se nuk mjafton vetëm demokratizimi i institucioneve shtetërore, por nevojitet edhe demokratizimi i partive politike.
“Ai theksoi stabilitetin institucional dhe qeverisjen demokratike, si rezultat i të cilave Kosova është renditur në vendin e parë sa i përket sundimit të ligjit në Ballkan sipas Ëorld Justice Project, është ngritur për 17 vende sa i përket luftës kundër korrupsionit sipas Transparency International dhe për 17 vende më lart sa i përket lirisë së mediave, sipas Reporterëve pa Kufij”, thuhet në komunikatë.
Me politikat tona në qeverisje – citohet Kurti- kemi dëshmuar që demokracia dhe ekonomia zhvillohen krahas njëra-tjetrës.
Lidhur me bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, kryeministri ritheksoi që marrëveshja duhet të ketë në qendër njohjen e ndërsjellë dhe fillimisht Serbia duhet të pranojë dokumentet e Republikës së Kosovës.
McCarthy e falënderoi kryeministrin Kurti për bashkëpunimin dhe tha se do ta mirëpriste në vizitën e tij të ardhshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.