Edi Rama përmend Kosovën në OKB: 20 mijë gra u dhunuan mizorisht

Aktuale

Edi Rama përmend Kosovën në OKB: 20 mijë gra u dhunuan mizorisht

Më: 2 qershor 2022 Në ora: 19:01
Edi Rama

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ka mbajtur një fjalim në mbledhjen e parë të Këshillit të Sigurimit të OKB, në Nju Jork. Shqipëria do të mbajë për një muaj Presidencën e organizatës më të rëndësishme për sigurinë në botë.

Në fjalën e tij, kryeministri shqiptar foli për llogaridhënien ndërkombëtare dhe kërkoi nga të gjithë gjithë përfaqësuesit e shteteve anëtare në Këshillin e Sigurimit, që pandëshkueshmëria të mos bëhet normë e të mbetet në histori.

Rama foli për ngjarjet në Ukrainë dhe përmendi dhe mizoritë e agresorit jugosllav në Serbrenicë e Kosovë.

Sipas tij, bota u detyrohet me vepra dhe jo me fjalë viktimave të spastrimit etnik.

“Kolegë, na duhet të dëshmojmë vepra e jo vetëm fjalë. Ne duhet të themi sot më shumë se kurrë, kurrë më. I detyrohemi me vepra e jo me fjalë mijëra viktimave në Serbrenicë. Të gjithë atyre që kanë vuajtur masakra e krime kundër njerëzimit, 20 mijë grave të dhunuara gjatë spastrimit etnik në Kosovë, në 98-99”, tha ndër të tjera Edi Rama.

Pjesë nga fjala e kryeministrit shqiptar në Këshillin e Sigurimit:

Ndërkohë që flasim dhe theksojmë nevojën për të zbatuar normat e përbashkëta, të gjithë jemi të vetëdijshëm që jemi në një stres të jashtëzakonshëm. Ne, mund të ndihemi në fakt edhe të dëshpëruar për mungesën e progresit, për mungesën e realizimit, dhe shkelësit që veprojnë të lirë.

Kemi parë sesi minohen shtete të tëra. Rasti i konfliktit 11 vjeçar të Sirisë është tragjik. Duke dështuar të vëmë para përgjegjësisë regjimin sirian, kemi inkurajuar mizori diku tjetër. Por mostrajtimi i mizorive nuk duhet të jetë arsye për të mos vepruar.

Kjo më sjell ndërmend agresionin në Ukrainë. Një luftë e paprovokuar, e padrejtë, e paligjshme ka sfiduar ekonominë europane. Krime të tmerrshme që kryhen e zbulohen përditë. Kjo kërkon vënien para përgjegjësisë. Shqipëria do të jetë në ballë të përpjekjeve për të vënë në vend drejtësi.

Kolegë, na duhet të dëshmojmë vepra e jo vetëm fjalë. Ne duhet të themi sot më shumë se kurrë, kurrë më. I detyrohemi me vepra e jo me fjalë mijëra viktimave në Serbrenicë. Të gjithë atyre që kanë vuajtur masakra e krime kundër njerëzimit, 20 mijë grave të dhunuara gjatë spastrimit etnik në Kosovë, në 98-99.

Pa drejtësi dhe llogaridhënie efektive, normat e përbashkëta do të shuhen. Nuk duhet t’i lëmë shkeljet të bëhen normë. Duhet që pandëshkueshmëria të mbetet në histori.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat