Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka paralajmëruar se do të përdorin të gjitha mjetet demokratike për të kundërshtuar miratimin e projektligjit për pagën minimale, që sipas tij, anashkalon dhe diskriminon veteranët e UÇK-së.
Në një konferencë për medie, Tahiri kërkoi nga Ministria e Financave, që të gjejë një konsensus për rritjen e pensioneve të veteranëve, në kuadër të pagës minimale.
Tahiri: Do të përdorim të gjitha mjetet demokratike për të kundërshtuar këtë nismë ligjore
“Çfarëdo mjeti që është demokratik për të penguar këtë nismë ligjore, ne normalisht që do të përdorim. Për ne është e pabesueshme se si kemi ardhur në këtë diskutim të tillë, për të diskutuar për kategorinë më të ndjeshme të shoqërisë tonë, veteranët e luftës, që sot t’i lëmë anash nga një ligj i cili përcakton pagën minimale dhe i diskriminon ata. Kjo është e papranueshme. Ky projektligj nuk duhet të kaloj as në leximin e parë as në leximin e dytë. “, tha Tahiri.
Sipas tij, kjo qasje e mazhorancës është e papranueshme.
Tahiri: Kjo qasje e mazhorancës është e papranueshme
“Është e papranueshme kjo qasje e mazhorancës, që përkundër kërkesave tonë që tash e disa kohë që cështja e pagës minimale të mos trajtohet kështu siç është, duke lënë kështu anash veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pra, edhe sot e kësaj dite ende kemi një tendencë të tyre që pikërisht të shkohet duke i përjashtuar veteranët e UÇK-së. Prandaj, ne si PDK, do të përdorim çdo mjet demokratik që të mos lejojmë që ky ligj të miratohet. Ne duam të arrijmë në një konsensus së bashku me Ministrinë e Financave që ta trajtojmë çështjen e veteranëve të UÇK-së. Kjo është kategoria më e ndjeshme e shoqërisë tonë, që i ka dhënë më së shumti vendit, çlirimit dhe pavarësisë, prandaj, sot, të lihen anash në një formë të tillë, me ligjin për përcaktimin e pagës minimale është e papranueshme.”, shtoi Tahiri.
Më tej, Tahiri ka thënë se kjo Qeveri përmes qeverisjes së keqe ka shkaktuar krizë të thellë dhe të rrezikshme në të gjitha kategoritë e shoqërisë.
Tahiri: Kjo Qeveri tashmë ka krijuar një situatë të rrezikshme
“Kjo Qeveri tashmë ka krijuar një situatë të rrezikshme në Republikën e Kosovës. Ju e shihni një pakënaqësi të madhe në të gjitha kategoritë e shoqërisë. Prej atyre që realisht janë me skema sociale, që janë të papunë, e deri te punëtorët e secilës kategori, në publik apo privat. Këtë situatë të rrezikshme me mosveprim e ka krijuar Qeveria e Kosovës. Prandaj, kjo krizë e ka vetëm një përgjegjësi, dështimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës.”, ka përfunduar Tahiri.