Publicisti Liri Loshi është përfshirë në debatin rreth pagës minimale dhe çështjes së veteranëve të luftës.
Konkretisht Loshi është ndalur tek veteranët e rrejshëm duke thënë se është antivlerë prezantimi i vetvetes si veteran pa qenë luftëtar i UÇK-së, shkruan "Bota sot".
“Me e prezantu veten si veteran, kur nuk ke qenë luftëtar i UÇK-së, nuk është vlerë, por është antivlerë. Me e ble, apo me e shitë statusin e veteranit me para, nuk është vlerë, por është antivlerë. Me dalë me protestu veterani i rremë pranë veteranit të vërtetë është cinizëm, është fyerje e veteranit dhe e luftës së tij”, ka shkruar Loshi.
Ai ka treguar edhe rastet kur një individ nuk mund të quhet veteran i UÇK-së.
“Nëse nuk e ke të qartë a ke qenë a jo ushtar i UÇK-së, ja të tregoj unë. A ke qenë i ngarkuar me një armë? Nëse po, je veteran i UÇK-së. Nëse jo, nuk je veteran. A ke dhënë para (mito) për ta marrë statusin e veteranit? Nëse po, s’je veteran i UÇK-së. A ke qenë në ndonjërën nga njesitë e UÇK-së? Nëse jo, nuk je veteran i UÇK-së.
Njerëz, çlirojeni veten, familjen dhe shoqërinë nga falsiciteti i panevojshëm”, ka përfunduar Loshi.