Deklarohet Zafir Berisha pas arrestimit, mohon se ka sulmuar zyrtarët policorë
Ish- zëvendës ministër i Punëve të Brendshme, Zafir Berisha, është deklaruar pasi gjatë ditës së sotme u arrestua nga Policia e Kosovës.
Ai tha se ka rënë pre e një provokimi të propagandës që bëhet ndaj njerëzve të UÇK-së teksa mohoi se ka sulmuar zyrtarët policorë.
“Kjo është një gënjeshtër e pastër. Si zakonisht tashmë unë jam mësuar me pallavra të kësaj natyre. Natyrisht se unë kam ra pre e një provokimi të një viktime të propagandës që bëhet ndaj njerëzve të UÇK-së edhe as qe kam idenë çka ka ndodhë”, tha ai.
Ky i fundit deklaroi se zyrtarët policorë i kishin vënë tiketë vetëm veturës së tij, teksa pretendon se në po të njëjtin vend kishe vetura të parkuara shumë më keq.
Tutje Berisha tha se Policia ndaj tij ka përdorur edhe gaz lotsjellës.
“Normal unë e prita me ma shkrujt tiketën. Edhe faktikisht kjo ishte e gjitha gazi lotsjellës dhe kështu me radhë. Më pas u dasht me shku në Polici dhe ende jemi duke e sqaruar këtë çështje”, shtoi ai.
Berisha tha se nuk e ka idenë se pse është përdorur gazi lotsjellës ndaj tij.
“Unë nuk e kam idenë se pse është përdorë gazi lotsjellës. Për këtë jemi edhe me e sqaruar”, tha ish-zëvendës ministri.
I pyetur se a është hedhur gazi lotsjellës para apo pas konfrontimit me policinë, ky i fundit mohoi të ketë ndodhur ndonjë konfrontim.
“Jo more çfarë konfrontimi. Ku ka pasur konfrontim. Ai ka gjuajtur gaz prej dy-tre metra pse e gjuajta tiketën përfundi makinës time”, tha ai.