Ish-komandanti i Llapit: Veteranë luftëtar janë shumë më pak, Qeveria...

Aktuale

Ish-komandanti i Llapit: Veteranë luftëtar janë shumë më pak, Qeveria...

Më: 9 qershor 2022 Në ora: 17:16
Latif Gashi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti muaj më parë ka paralajmëruar mundësinë e pastrimit të listave të veteranëve, paralajmërim ky që u përsëritë edhe nga ministri i Financave, Hekuran Murati.

Ata thonë se nuk janë 60 mijë veteranë të UÇK-së ashtu siç figurojnë në lista, por 20 mijë persona.

Por këtë mundësi të pastrimit të listave të veteranëve, ish-komandanti i UÇK-së në Zonën Operative të Llapit, Latif Gashi po e sheh si të pamundur të realizuar nga Qeveria ‘Kurti’.

Sipas Gashit, ata të cilët e kanë rritur numrin e veteranëve duhet ta përmirësojnë.

“Qeveria nuk mundet me bërë këtë veprim. Njerëzit që janë duke e udhëhequr Qeverinë nuk e dinë kush ka qenë në luftë e kush nuk ka qenë se këta fatkeqësisht nuk kanë qenë në luftë asnjëri prej tyre. Mundesh me i  numëruar vetëm në gishtat e dorës ata që kanë qenë. Mendoj që ky proces duhet të përmirësohet, por këta duhet me i përmirësuar ata që e kanë rritë numrin. Krejt procesi që nga fillimi e deri tani, këto përpjekje të Qeverisë i konsideroj veprime politike të gabuara”, u shpreh Gashi.

Ish-komandanti i UÇK-së ka thënë se duhet dalluar luftëtarët nga veteranët e luftës.

Megjithatë Gashi, nuk e përjashton mundësinë që mund të jenë listat e fryra me veteranët të rrejshëm.

“Unë mendoj që veteranë luftëtarë ka më pakë se që është i ngarkuar ligji. Tani këtu duhet me u bërë dallimi tek veteranët dhe luftëtarët e kur bëhet ky dallim numri i tyre jetë më i vogël dhe mundesh me i trajtuar me dinjitet. Pjesëmarrësit në luftë kanë qenë me qindra mijëra njerëz që e kanë ndihmuar luftën në forma të ndryshme, por veteranë luftëtarë nuk kanë qenë kaq sa janë në listë, ne nuk kemi nevojë me politizuar këtë çështje, janë organet kompetente që duhet me i verifikuar ata që janë veteranë të rrejshëm”, potencoi Gashi.

Latifi ka komentuar edhe protestën e mbajtur nga Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës tri ditë më parë.

Ai ka thënë se është për keqardhje që veteranët duhet të protestojnë kur falë luftës së tyre është ndërruar historia e vendit.

“Është për keqardhje puna e veteranëve në një shtet të lirë me ju ardh puna me protestuar, institucionet duhet më qenë në dispozicion çdoherë për ta. Më janë dhimbsur shumë ata veteranë që kanë protestuar ku dihet se historia jonë është ndërruar falë luftës së tyre e drejtpërdrejt dhe përkrahjes gjithë popullore”, përfundoi ai.

Veteranët e UÇK-së kanë protestuar të hënën për të kundërshtuar mos përfshirjen e tyre në projektligjin për pagat.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat