Avdija: Qeveria të mos vonohet dhe të largojë apo reduktojë akcizën për derivatet

Aktuale

Avdija: Qeveria të mos vonohet dhe të largojë apo reduktojë akcizën për derivatet

Më: 9 qershor 2022 Në ora: 19:56
Besnik Avdija

Ekonomisti Besnik Avdija foli për rritjen e çmimit të derivateve të naftës. Lidhur me këtë çështje, ai thotë se Qeveria e Kosovës nuk duhet të vonohet më shumë për mundësinë e largimit apo të reduktimit të akcizës ashtu siç kanë propozuar ekspertët dhe opozita.

Avdija theksoi se Qeveria duhet të jetë e gatshme të sakrifikojë edhe vetë planifikimin e saj buxhetor të këtij viti apo të një ose dy viteve të ardhshme në mënyrë që të bëjë zgjedhje dhe t’ia lehtësojë barrën qytetarit dhe bizneseve.

“Ka edhe mundësi tjera që po diskutohen nga ekspertët apo politikanët, mundësia e largimit ose reduktimit të akcizës. Edhe nëse jemi vonuar nuk duhet ë vonohemi shumë. Në kohë krizash nuk mund të merren vendime të cilat prekin planifikimet 5-vjeçare apo 10-vjeçare që është tani. Duhet të jemi të kujdesshëm që barrën e kësaj periudhës afatshkurtër ta larojmë  sa më shumë nga qytetari edhe nëse kjo është në dëm të buxhetit të vendit. Qeveria duhet të jetë e gatshme që deri diku edhe të sakrifikojë edhe vetë planifikimin e saj buxhetor të këtij viti edhe të dy ose 3 viteve në vijim, që barra të lehtësohet te qytetari dhe bizneset”, tha Avdija.

Tutje Avdija deklaroi se rritja e çmimit të naftës nuk është plotësisht reflektim i çmimeve të bursës. Kjo pasi që sipas tij gjatë muajit mars në Kosovës çmimi i naftës ishte 1.64 apo 1.65 kur ishte më i lartë çmimi i naftës në bursë sesa është sot.

“Çmimi i rritur i naftës në 1.82 për naftë, 1.84 për benzinën  mund të themi se deri dikur është reflektim i çmimeve në bursë por jo plotësisht për shkak se në mars kishim një çmim 1.64 apo 1.65 kur ishte më i lartë çmimi i naftës në bursë pra në tregjet ndërkombëtare sesa është sot. Kosova  me kushtetutë është ekonomi e tregut të lirë, është ekonomi kapitaliste dhe duke qenë së është e tillë, institucione, qeveria duhet të kenë sa më pak dorë në rregullimin e tregut, duhet të ndikojnë sa më pak politikat në përcaktimin e çmimeve dhe kërkesës dhe ofertës në treg. Këtë duhet lënë në dorën e biznese dhe në dorën e konsumatorit”, deklaroi ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat