Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi thotë që nuk është e dinjitetshme që veteranët të trajtohen në pagën minimale pasi që sipas tij, paga për veteranët minimumi duhet të jetë 500 euro.
Këtë deklaratë Abazi e bëri në Tëvë1 duke theksuar se veteranët janë njerëzit të cilët kanë qenë të gatshëm të jepin jetën dhe gjymtyrët e tyre për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Abazi deklaroi se deputetet e Lëvizjes Vetëvendosje nuk janë kundër që veteranët të trajtohen me dinjitet për kontributin e tyre.
“Është e vërtetë që veteranët jo me 170 euro po as me 250 euro nuk janë të mjaftueshme, janë njerëzit të cilët kanë qenë të gatshëm ta jepin edhe jetën e vet edhe gjymtyrët e tyre për lirinë dhe pavarësinë e këtij vendi. Askush që është në mendjen racionale në këtë vend e më së paku ne si deputetë të Vetëvendosjes nuk jemi kundër që veteranët të trajtohen me dinjitet për kontributin e tyre që e kanë përfituar me mund e me luftë gjatë kontributit që kanë dhënë”, tha ai.
I pyetur se pse nuk përfshihen veteranët në Ligjin për pagën minimale, deputeti i VV-së tha se as nuk kanë qenë në të kaluarën, por se edhe nuk është e dinjitetshme që veteranë të trajtohen me pagën minimale.
“Dhe është e paligjshme në fakt që një kategori të futet përbrenda kufizimit të pagës minimale, Ne duhet të kërkojmë paga të dinjitetshme për veteranët, minimumi duhet të jetë 500 euro paga për veteranët”, tha ai.