Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka njoftuar se ka shënjestruar dy raste të reja të koduara si “Jimi” dhe “Kamera” në Prishtinë, të cilat kanë të bëjnë me shpëlarje parash, krim të organizuar e vepra të tjera penale.
“Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Blerim Isufaj, ka mbajtur sot takimin e radhës me ekipin e përbashkët për përzgjedhjen dhe shënjestrimin e krimeve të rënda, ku kanë shenjëstruar dy raste të reja me një numër të madh të personave për vepra të ndryshme penale”, thuhet në komunikatën për media.
Sipas PSRK-së, në rastin e koduar “Jimi”, përfshihen disa persona për shpëlarje parash, andaj është propozuar konfiskimi i dy automjeteve, celularëve dhe 125 mijë e 240 eurove, të sekuestruara nga të pandehurit.
“Prokuroria Speciale ka propozuar për konfiskim të përhershëm të dy (2) automjeteve të cilat janë sekuestruar nga të pandehurit në vendin e ngjarjes, të kartëmonedhave në shumë prej njëqindenjëzetepesë mijë e dyqindedyzet (125.240.00) euro, të sekuestruara, si dhe celularët e sekuestrua nga të pandehurit”, thuhet në komunikatë.
Ndërkaq, në rastin e dytë të shënjestruar nga Prokuroria Speciale, i cili është i koduar “Kamera”, janë sekuestruar 143.395 kg narkotikë, nëntë vetura, 13.000.00 euro si dhe 15 celularë.